SPORT, 19 Maj 2023, 10:25

Eliminimi i Juves nga Liga e Europës, reagon titullari bardhezi: Luftuam kundër të gjithë botës, por sërish nuk mjaftoi

Eliminimi i Juves nga Liga e Europës, reagon titullari bardhezi: Luftuam

Nëse Sevilja e preu biletën për në finalen e Budapestit vetëm në kohën shtesë, meritë për këtë kishte portieri i Juventusit, Vojceh Shezni, autor i disa pritjeve të pabesueshme që mbajtën rezultatin fillestar në shifrat 0-0 dhe duke i dhënë ekipit kurajë për avantazhin e Vlahoviçit.

Por në shtesë as kjo nuk mjaftoi, pasi Juventusi u lodh dhe u dënua keq: “Jam i tërbuar, ndoshta më shumë se kaq, sepse nuk e di sesi e hodhëm në erë edhe këtë mundësi.

Nëse kërkon që të luash një finale duhet ta kërkosh atë, të luftosh për atë deri në fund, por gjithmonë duket se ka diçka që na bllokon.

Madje, akoma më keq se kjo, duket se kudo dhe sa herë që luajmë, na duket se luftojmë të vetëm kundër botës dhe kjo është diçka që të rëndon shumë psikologjikisht.

Në këtë sezon nuk e di se çfarë tjetër mund të përjetonim më shumë sesa mungesa e vazhdimësi së rezultateve, dëmtime pa fund dhe çështjet ligjore të klubit.

Por unë di se këtë finale mund ta kishim arritur, por sërish mbyllim një tjetër ndeshje me pengje tepër të mëdha”, u shpreh polaku.