TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar vizita në Malësinë e Madhe dhe në Shkodër, ku është takuar me tre punonjës policie të dëmtuar gjatë ushtrimit të detyrës.
Në Malësinë e Madhe, Hita takoi inspektorët Hilmi Smajlaj dhe Samet Bajri, pjesë e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, të cilët mbetën të plagosur me thikë gjatë ndërhyrjes për ndalimin e një shtetasi gjerman në fshatin Pjetroshan.
Sipas Policisë, ndërhyrja u krye pas një njoftimi se personi kishte sulmuar me benzinë automjetin e një qytetari. Gjatë përpjekjeve për neutralizimin e tij, dy efektivët mbetën të dëmtuar.
Gjatë takimit, Hita vlerësoi guximin dhe profesionalizmin e tyre, duke theksuar se, pavarësisht plagosjes, ata nuk u tërhoqën nga ndërhyrja dhe arritën të neutralizonin personin.
“Pavarësisht se u plagosët gjatë ndërhyrjes, ju nuk u tërhoqët dhe arritët të neutralizonit personin, duke parandaluar pasoja edhe më të rënda”, u shpreh Hita, duke shtuar se sakrifica dhe përkushtimi i punonjësve të Policisë meritojnë respektin e qytetarëve.
Në vijim të vizitave, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shkoi edhe në banesën e nënkomisarit Fasli Rama në Shkodër, i cili u plagos gjatë protestës së zhvilluar në këtë qytet.
Hita i shprehu mirënjohjen për më shumë se 30 vite shërbim në Policinë e Shtetit, duke theksuar se efektivi kishte qenë në krye të detyrës për të garantuar të drejtën e qytetarëve për protestë paqësore, si dhe për të mbrojtur institucionet dhe pronën publike e private nga aktet e dhunës.
“Askush s’do të donte ta mbyllte karrierën me një episod të tillë, por të jesh krenar, pasi nuk ishe aty kundër qytetarëve dhe as kundër protestës paqësore”, deklaroi Hita.
Nga ana e tij, nënkomisari Fasli Rama falënderoi drejtorin për mbështetjen dhe interesimin e vazhdueshëm, duke bërë të ditur se gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar dhe se ndodhet në fazën e rikuperimit të plotë.
Ai vlerësoi gjithashtu trajtimin mjekësor që ka marrë nga bluzat e bardha të Spitalit të Traumës.