AKTUALITET, 22 July 2026, 14:25

“Protesta, uragan i lirisë që po firmos fundin e Ramës”, kreu i PD: Zero ndikim nga slogani ‘Berisha në burg, opozita e shitur’

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së ka komentuar protestat e fundit, duke i cilësuar ato si një lëvizje qytetare me jehonë ndërkombëtare. Berisha përshëndeti qytetarët që, sipas tij, vijojnë të marrin pjesë në protestë dhe u bëri thirrje demokratëve që ta mbështesin atë me të gjitha forcat.

“Protesta ka ngjallur simpati botërore, si kurrë më parë. Në emër të PD-së dhe tuajin, përshëndes ata dhjetëra mijëra qytetarë që vijojnë të pamposhtur uraganin e lirisë”, tha Berisha. Ai u ndal edhe te sloganet kritike ndaj tij dhe opozitës, duke i cilësuar si pa ndikim.

“Zero ndikim nga sloganet e ekstremistëve të majtë. Zero ndikim nga thirrja ‘Berisha në burg, opozita e shitur’. Ata që bëjnë këtë punë, punojnë për Ramën”, deklaroi kreu i PD-së. Berisha u bëri thirrje demokratëve që të vijojnë mbështetjen për protestën, ndërsa e cilësoi atë si një lëvizje që, sipas tij, po çon drejt fundit të qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.

“Përshëndes demokratët e pamposhtur, përshëndes të gjithë qytetarët. Po firmosin fundin e një sundimtari më të keq që ka pasur historia e Shqipërisë pas Enver Hoxhës”, u shpreh Berisha.