TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në këtë kohë të egër koronavirusi, kur mbarë bota është trishtuar dhe kyçur brenda vetes, si asnjëherë më parë, vetëm zëdhënësi i FBI-së dhe Departamentit të Shtetit, për Shqipërinë, Ballkanin dhe më gjerë, avokati i ditur, Spartak Ngjela, po fluturon nga gëzimi.
Por nga i vjen avokatit tonë, ky gëzim dhe kjo lumturi kaq e madhe, në këtë kohë kaq të zezë?
Përgjigja është shumë e thjeshtë. Ndryshe nga të gjithë ne të shkretët, avokati ka kuptuar, se Shqipëria u pranua në Bashkimin Europian.
Kaq e madhe është kjo lumturi, saqë avokati padashur derdh në status, vargjet e famshme të Naim Bej Frashërit.
U ngrit fati i Shqipërisë
Si i vdekuri nga varri
Mori udhën e Azisë
Duke ikur si i marri ...
Por, avokati ynë i dashur, duket që nuk është i vetëm, në këtë gëzim të patreguar.
Në mes të këtij koronavirusi të tmerrshëm, ai bëri një vizitë virtuale, tek të ikurit nga kjo botë, ku takoi gjithë personalitetet e Rilindjes Kombëtare, vëllezërit Frashëri, De Radën, Asdrenin, Bogdanin, Bardhin, Fishtën dhe 100 të tjerë, - siç thotë ai.
Në këto takime, avokati mbeti i mahnitur, sepse ata e kishin mësuar para tij, që Europa, na kishte pranuar në gjirin e saj dhe ishin gëzuar më shumë se ai.
I pyetur, se si mund të ndodhë gjithë ky gëzim i avokatit, por edhe i të vdekurve të Rilindjes Kombëtare, në këtë kohë koronavirusi, doktor Pëllumb Piperi, dha këtë përgjigje:
- Ky koronavirus, ka sjellje dhe mutacione kaq të çuditshme, saqë mund të ndodhë, që në raste të veçanta, sidomos kur është fjala për avokatin, të sjellë edhe gëzim edhe lumturi njëkohësisht.
PS. Për t'u gëzuar dhe lumturuar edhe ju të nderuar lexues, lexoni më poshtë statusin e avokatit tonë të ditur!
/TPZ.al/Tej e këtej/
SPARTAK NGJELA - FAQJA ZYRTARE
Shqipëria e fitoi më në fund pas 500 vjetësh të drejtën e mohuar nga historia: u kthye juridikisht si pjesë e Evropës dhe qytetërimit perëndimor.
Pse mos t'i kujtojmë vargjet rrëqethëse të Naim Frashërit:
U ngrit fat'i Shqipërisë
si i vdekuri nga varri
Mori udhën e Azisë
Duke ikur si i marri
Ja, tani duket se u mbyll kjo menxytë e gjatë aziatike e anadollake, që krijoi tmerret antishqiptare.
Në këtë ditë të trishtë, të ankthit dhe merakut të madh nga sëmundja e egër që po e kanos përditshëm, shqiptarit i erdhi ky lajm që e pret në shekuj si fatin e tij drejt Evropës.
Sot po gëzohen të gjithë: e gjithë Rilindja Kombëtare; Derada dhe Samiu; Bardhi dhe Bogdani; të gjithë luftëtarët dhe martirët e mëdhenj të kombit shqiptar; të gjithë poetët e medhenj që qanë me dhimbje dhe i kënduan me dashuri heroike atdheut e tyre evropian - Naimi, Fisha dhe njëqind të tjerë.
Por, të gëzuar ndihemi të gjithë ne, se e mposhtëm më në fund ligësinë armiqësore që ka 120 vjet që kërkon të zhbëjë Shqipërinë dhe shqiptarët.