AKTUALITET, 22 August 2026, 10:04

Përplasi për vdekje 66-vjeçarin në Durrës, gjykata lë në burg taksistin 26-vjeçar

Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për taksistin 26-vjeçar, i cili përplasi për vdekje 66-vjeçarin Fezi Dine, në një aksident të rëndë rrugor në Durrës.

I riu, i cili po hetohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, do të qëndrojë në paraburgim deri në përfundim të hetimeve.

Sipas të dhënave paraprake të hetimit, aksidenti dyshohet se ka ndodhur si pasojë e pakujdesisë së drejtuesit të mjetit. 26-vjeçari ishte në drejtimin e taksisë kur përplasi 66-vjeçarin, i cili në atë moment po kalonte rrugën.

Ngjarja ndodhi teksa Fezi Dine po kalonte rrugën mbi vijat e bardha. Përplasja ishte e fortë dhe 66-vjeçari pësoi dëmtime të rënda trupore.

Ai u transportua me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmën mjekësore, por, pavarësisht ndërhyrjes së bluzave të bardha, nuk mundi t'u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë.

Pas aksidentit, policia shoqëroi menjëherë drejtuesin e taksisë në Komisariatin e Durrësit, ku nisi dokumentimi i ngjarjes dhe veprimet procedurale.

Hetuesit po vijojnë punën për të përcaktuar me saktësi rrethanat e përplasjes, ndërsa materialet e mbledhura do të shërbejnë për përcaktimin e përgjegjësisë penale të 26-vjeçarit.