AKTUALITET, 21 August 2026, 21:17

LAJM I FUNDIT/ Gjykata e Sarandës lë në burg Sokrat Vatën, i dyshuar për vrasjen e turistit portugez

Gjykata ka caktuar masat e sigurisë për personat e arrestuar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Ksamil, ku humbi jetën turisti portugez Luis Miguel Varela Mendes.

Për Sokrat Vatën është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”. Ai dyshohet se ka lidhje me vrasjen e turistit portugez, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.

Edhe për Ezgi Parlak dhe Nuh Mahmutoglu gjykata ka vendosur masën “arrest në burg”.

Ndërkohë, për Ildi Cekanin dhe Ardit Kasemin është vendosur arresti në burg për një afat 45-ditor.

Për katër personat e tjerë të arrestuar, Luciano Seferi, Moisi Matushaj, Romeo Shehu dhe Kristo Kosho, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Familjarët e presin Vatën jashtë gjykatës

Gjatë mbërritjes së të arrestuarve në Gjykatën e Sarandës, familjarë dhe të afërm të Sokrat Vatës ndodheshin jashtë ambienteve të gjykatës.

Në pamjet e publikuara nga mediat, një grua dëgjohet t'i drejtohet Vatës me fjalët: “Sokrat, jemi këtu o shpirt”, ndërsa një tjetër person e thërret “Sokrat, abi”.

Të arrestuarit u shoqëruan nën masa të rrepta sigurie nga forcat “Shqiponja” dhe FNSH-ja.

Hetimet për vrasjen në Ksamil

Ngjarja ndodhi në Ksamil, ku turisti portugez Luis Miguel Varela Mendes, 20 vjeç, humbi jetën pasi u godit me thikë pas një konflikti.

Përveç Vatës, autoritetet kanë arrestuar edhe persona të tjerë, ndaj të cilëve janë ngritur akuza të ndryshme, përfshirë përkrahjen e autorit të krimit dhe moskallëzimin e krimit. Dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit dhe rolit të secilit prej personave të përfshirë vijojnë. Ndërkohë, Sokrat Vata do të qëndrojë në paraburgim në pritje të zhvillimit të mëtejshëm të procesit gjyqësor.