AKTUALITET, 22 August 2026, 09:17

Durrës/ Vrau me thikë Marko Beqirajn, Tejlor Tivari merret i pandehur, zbardhen detaje të reja nga dosja hetimore

Tejlor Tivari, i akuzuar për vrasjen me thikë të Valbon alias Marko Beqiraj në Durrës, është marrë zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Durrësit për veprën penale “Vrasje me dashje”, ndërsa çështja është dërguar për shqyrtim në gjykatë.

Në të njëjtën dosje është marrë i pandehur edhe Xhenis Dakoli, për “Përkrahje të autorit të krimit”.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 24 shtator 2025, në një apartament në Durrës. Sipas dëshmisë së Tivarin, rreth orës 09:00, ai ka komunikuar me Beqirajn për t’u takuar, pasi, sipas deklarimit të tij, kishte ndërmend të blinte lëndë narkotike.

Tivari ka treguar se e njihte Beqirajn prej më parë dhe se në dy raste kishte blerë lëndë narkotike prej tij. Pas komunikimit telefonik, ai është drejtuar në banesën e viktimës, e cila ndodhej në pallatin nr. 983, pranë tregut të fruta-perimeve në Durrës, në katin e katërt.

“E gjeta lakuriq dhe më kërkoi të kryenim marrëdhënie”

Në dëshminë e tij, Tivari ka dhënë detaje për momentet e para në apartament. Ai ka pretenduar se kur ka hyrë në banesë, ka gjetur Beqirajn vetëm dhe të zhveshur plotësisht.

Sipas versionit të tij, Beqiraj është afruar dhe e ka joshur për të kryer marrëdhënie seksuale. Tivari ka deklaruar se është stepur nga situata dhe e ka shtyrë, duke tentuar të largohej.

Më pas, sipas dëshmisë së tij, Beqiraj ka veshur mbathjet dhe nuk e ka lejuar të largohej nga banesa. Ai pretendon se viktima i është drejtuar me një thikë me teh në formë sharre dhe e ka kërcënuar.

Në këtë moment, sipas Tivarin, ka nisur përleshja fizike mes të dyve.

Tivari ka deklaruar se gjatë konfliktit ka arritur t’ia marrë thikën Beqirajt dhe e ka goditur me të. Sipas tij, thika është thyer pranë dorezës.

Por përleshja ka vijuar. Tivari ka treguar se më pas ka marrë një tjetër thikë nga kuzhina dhe me të ka goditur Beqirajn 11 herë, në pjesë të ndryshme të trupit, përfshirë gjoksin, qafën dhe kokën.

Pas goditjeve, ai është larguar nga banesa duke marrë me vete thikën e dytë. Sipas deklarimit të tij, armën e ftohtë e ka hedhur gjatë rrugës.

“I thashë se kisha bërë një sherr të keq”

Pas largimit nga apartamenti, Tivari ka telefonuar shokun e tij, Xhenis Dakoli, dhe i ka kërkuar ta merrte me makinë.

Sipas dëshmisë së tij, gjatë rrugës i ka treguar Dakolit se kishte bërë “një sherr të keq” dhe i ka kërkuar që ta çonte në banesën e tij.

Dakoli është marrë i pandehur për “Përkrahje të autorit të krimit”. Sipas akuzës, ai e ka ndihmuar Tivarin të largohej nga vendi i ngjarjes, ndërsa nuk ka njoftuar policinë, edhe pse ishte vënë në dijeni për ngjarjen.

Nëna i kërkoi të dorëzohej në polici

Pasi është kthyer në banesë, Tivari ka treguar për ngjarjen te nëna dhe vëllai i tij.

Në dëshminë e tij, ai ka treguar edhe këshillën që mori nga nëna pas rrëfimit të ngjarjes:

“Në mbrëmje i kam treguar mamës dhe vëllait tim ngjarjen që kam kryer e më pas, nëna më ka thënë që të dorëzohesha në polici.”

Pas kësaj, Tivari është vetëdorëzuar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Durrësit. Ai ka deklaruar se ishte autori i vrasjes dhe ka rrëfyer para hetuesve versionin e tij për atë që kishte ndodhur.

Gjatë këqyrjes fizike, policia ka konstatuar dëmtime në duart dhe në parakrahun e djathtë. Tivari ka pretenduar se këto dëmtime i kishte marrë gjatë përleshjes me Beqirajn.

Prokuroria e dërgon çështjen në gjykatë

Pas përfundimit të hetimeve, Prokuroria e Durrësit e ka marrë Tivarin të pandehur për “Vrasje me dashje”, ndërsa Dakoli për “Përkrahje të autorit të krimit”. Dosja tashmë është dërguar për shqyrtim gjyqësor.

Në proces do të shqyrtohen provat materiale, ekspertizat, dëshmitë dhe rrethanat e plota të ngjarjes.

Versioni i dhënë nga Tivari për mënyrën se si nisi konflikti, përfshirë pretendimin se Beqiraj e kërcënoi me thikë dhe se përleshja nisi pas refuzimit të marrëdhënies seksuale, përbën deklarimin e tij dhe nuk është një konstatim përfundimtar i gjykatës.

Tashmë pritet që në procesin gjyqësor të përcaktohen rrethanat e sakta të vrasjes, përgjegjësia penale e Tivarin dhe roli që ka pasur Dakoli pas ngjarjes.