AKTUALITET, 21 August 2026, 20:52

Aksion antidrogë në Korçë, arrestohet një person, çfarë iu gjet në makinë dhe banesë

Një operacion antidrogë po zhvillohet mbrëmjen e kësaj të premteje në Korçë, ndërsa deri më tani është arrestuar një person.

Sipas informacioneve paraprake, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin dhe banesën e të arrestuarit, policia ka gjetur doza kokaine, një shumë parash, armë të ftohta dhe fishekë.

Operacioni është ende në zhvillim, ndërsa mësohet se efektivët po kryejnë kontrolle edhe në banesa të tjera, në kuadër të hetimeve për persona të tjerë që dyshohet se mund të jenë të përfshirë.

Deri në këto momente, autoritetet nuk kanë bërë të ditur identitetin e personit të arrestuar apo sasinë e lëndës narkotike dhe parave të sekuestruara.

Pritet që Policia e Shtetit të japë më shumë detaje në vijim lidhur me operacionin dhe rezultatet e kontrolleve që po zhvillohen në Korçë.