AKTUALITET, 21 August 2026, 18:46

Zjarret në vend, ministria: 8 vatra janë aktive, situata më kritike në Pukë dhe Mirditë! Në Gojan u dogjën 4 banesa te pabanuara

Zjarret në vend, ministria: 8 vatra janë aktive, situata më

Situata e zjarreve vijon të mbetet problematike. Gjatë orëve të fundit, janë regjistruar 24 vatra zjarri, 8 prej të cilave janë ende aktive, njofton ministria e Mbrojtjes.

Situata më e rënduar paraqitet në zonën Gojan–Gjegjan–Tërbun në Pukë. Zjarri është afruar pranë banesave në Gojan të Madh, ku janë djegur 4 banesa të pabanuara, ndërsa një banesë e banuar është shpëtuar.

Në Shtanë të Mirditës vijon ndërhyrja e forcave të Bashkisë, të mbështetura nga dy helikopterë dhe dy mjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura. Për shkak të rrezikut për banesat, Policia ka evakuuar banorët e zonave të rrezikuara.

 Ndërkohë, në Dukat të Vlorës operacioni vijon nga toka dhe ajri, ndërsa aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat. Në Dajt të Tiranës po punohet për izolimin e vatrave të mbetura, ndërsa në Mal Milot të Kurbinit zjarri është shuar dhe zona mbahet nën mbikëqyrje.

Bëhet me dije se në terren janë angazhuar 639 forca nga strukturat vendore e rajonale, si dhe Forcat e Armatosura, të cilat po mbështesin operacionet me 5 mjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.