TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pak ditë pasi Shoqata e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve refuzuan tryezën e propozuar me kryeministrin Edi Rama për çështjen e pagave, duke deklaruar se do të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të organizatave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Takimi u zhvillua në një moment kur debati për pagat dhe statusin financiar të magjistratëve vijon të jetë në qendër të diskutimeve, ndërsa përfaqësuesit e gjyqësorit kanë kërkuar që çështja të trajtohet në përputhje me vendimin që pritet nga Gjykata Kushtetuese.
Në një njoftim pas takimit, OSBE theksoi rëndësinë e përfshirjes së të gjitha palëve në diskutimet për çështjet që lidhen me sistemin e drejtësisë.
“Ambasadori Michel Tarran, u takua me përfaqësues të Unionit të Gjyqtarëve, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë për të diskutuar mbi zhvillimet aktuale që lidhen me sistemin e drejtësisë dhe ndikimin që ato mund të kenë në funksionimin e tij, në të drejtat e individit dhe standardet për gjykim të drejtë. Gjatë diskutimit, u theksua, gjithashtu, rëndësia e përfshirjes kuptimplotë të të gjitha palëve”.
Sipas OSBE-së, përfshirja e të gjithë aktorëve është e rëndësishme për forcimin e shtetit të së drejtës dhe ruajtjen e besimit të qytetarëve te sistemi i drejtësisë.
Takimi vjen pas qëndrimit të shoqatave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilat kanë vendosur të mos marrin pjesë në tryezën me kryeministrin Rama për pagat, duke e lidhur qëndrimin e tyre me pritjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.