AKTUALITET, 2 October 2026, 22:18

Zbulohet data për mbylljen e Kapitullit 20 me BE-në, Rama drejt Brukselit për Konferencën Ndërqeveritare Shqipëri-BE

Zbulohet data për mbylljen e Kapitullit 20 me BE-në, Rama drejt

Shqipëria pritet të bëjë një tjetër hap në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, teksa në Bruksel po diskutohet data 13 tetor për zhvillimin e mbledhjes së radhës ndërqeveritare mes Presidencës së BE-së dhe Shqipërisë.

Burime diplomatike nga Komisioni Evropian kanë pohuar se data 13 tetor është aktualisht në diskutim për takimin ku pritet të bëhet një tjetër hap në procesin e negociatave.

“Presim të kemi një tjetër ‘super të martë’ më 13 tetor, nga ku Shqipëria do të mbyllë një tjetër kapitull. Ndërsa Mali i Zi do të jetë përballë mbylljes së tre kapitujve”, pohoi i njëjti burim.

Kapitulli që pritet të mbyllet është Kapitulli 20, i cili lidhet me Biznesin dhe Politikat Industriale.

Shqipëria ka mbyllur deri tani përkohësisht tre kapituj të negociatave të anëtarësimit në BE. Më 14 korrik 2026 u mbyllën Kapitulli 25, “Shkenca dhe Kërkimi”, Kapitulli 26, “Arsimi dhe Kultura”, dhe Kapitulli 30, “Marrëdhëniet e Jashtme”.

Tre muaj më parë, nga Brukseli, kryeministri Edi Rama e cilësoi mbylljen provizore të këtyre tre kapitujve si një tjetër gur kilometrik në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Qeveria shqiptare ka deklaruar si objektiv përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027, me synimin për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE deri në vitin 2030.