TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Këshilli i Ministrave ka miratuar procedurat e reja për kujdesin alternativ të fëmijëve në familje, duke përcaktuar kriteret që duhet të plotësojnë familjet kujdestare, mënyrën e aplikimit, vlerësimit dhe përzgjedhjes, si dhe rastet kur ky shërbim mund të ndërpritet.
Vendimi përcakton dy forma kryesore të kujdesit alternativ: kujdesin alternativ profesional, i ofruar nga familje kujdestare të trajnuara, të vlerësuara dhe të miratuara, dhe kujdesin alternativ vullnetar, që mund të ofrohet nga të afërmit e fëmijës, persona nga rrethi i ngushtë i familjes ose familje pa lidhje familjare që shprehin vullnetin për të ofruar kujdes.
Kushtet për t'u bërë familje kujdestare
Për t'u bërë familje kujdestare, aplikantët duhet të plotësojnë një sërë kriteresh që lidhen me gjendjen shëndetësore, ekonomike, sociale dhe familjare.
Në procesin e vlerësimit do të merren parasysh kushtet e banimit, të ardhurat dhe aftësia e familjes për t'u kujdesur dhe edukuar fëmijën.
Një kriter i rëndësishëm lidhet edhe me situatën ligjore të familjes. Personat që aplikojnë nuk duhet të jenë nën hetim apo ndjekje penale. Po ashtu, përjashtohen familjet ku ka anëtarë të dënuar për vepra të caktuara, veçanërisht për dhunë, abuzim, shfrytëzim apo vepra që cenojnë sigurinë e fëmijëve.
Aplikimi bëhet në “e-Albania”
Aplikimi për t'u bërë familje kujdestare do të kryhet online përmes portalit “e-Albania”.
Pas dorëzimit të kërkesës, shërbimet sociale të bashkisë do të verifikojnë dokumentacionin brenda 7 ditëve. Më pas do të nisë vlerësimi i plotë, i cili përfshin intervista me familjarët, vizita në banesë, vlerësime sociale dhe psikologjike, dokumentacion mjekësor dhe kontrolle të të dhënave gjyqësore.
Procesi i vlerësimit duhet të përfundojë brenda 30 ditëve, ndërsa në raste të veçanta afati mund të shtyhet me 15 ditë të tjera.
Familjet që marrin vlerësim pozitiv duhet të kryejnë edhe trajnimin përkatës përpara se të regjistrohen zyrtarisht si familje kujdestare.
Komision në çdo bashki
Për menaxhimin e rasteve, në çdo bashki do të funksionojë një Komision Shumëdisiplinar për Kujdesin Alternativ në Familje.
Komisioni do të shqyrtojë aplikimet e familjeve, do të përcaktojë formën e kujdesit dhe do të trajtojë rastet e fëmijëve që kanë nevojë të vendosen në një familje kujdestare.
Në rastet e zakonshme, dosja e fëmijës duhet të shqyrtohet brenda 5 ditëve. Për situatat emergjente, procedura duhet të nisë menjëherë dhe të përfundojë jo më vonë se 24 orë nga referimi i rastit.
Kur mund të ndërpritet kujdesi?
VKM-ja përcakton edhe rastet kur shërbimi i kujdesit alternativ duhet të ndërpritet.
Kjo mund të ndodhë nëse familja kujdestare neglizhon fëmijën, ushtron dhunë ose abuzim, përdor ndëshkim fizik apo presion psikologjik, cenon privatësinë dhe dinjitetin e tij, pengon kontaktet e lejuara me familjen biologjike ose e shfrytëzon fëmijën për përfitime ekonomike.
Kujdesi alternativ mund të përfundojë gjithashtu kur fëmija rikthehet te familja biologjike, kalon në një formë tjetër kujdesi, mbush moshën 18 vjeç, ose kur gjykata vendos ndryshimin apo përfundimin e masës së mbrojtjes.
Rishikohen edhe familjet kujdestare ekzistuese
Familjet që janë aktualisht të miratuara si familje kujdestare do t'i nënshtrohen një rishikimi të profilit dhe dokumentacionit brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e vendimit.
Vendimi do të hyjë në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.