TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Këshilli i Ministrave ka përcaktuar rregulla të hollësishme për mbikëqyrjen e subjekteve që do të ushtrojnë veprimtari me bimën e cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale.
Sipas projektvendimit, kontrolli do të kryhet nga Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it, në zbatim të ligjit nr. 61/2023, ndërsa mbikëqyrja do të shtrihet në të gjitha fazat e veprimtarisë së subjekteve të licencuara.
Kontrollet do të përfshijnë importin e farërave dhe fidanëve, kultivimin, korrjen, përpunimin, magazinimin, transportin dhe eksportin, deri te asgjësimi i materialit.
Mbikëqyrja do të realizohet mbi bazën e një programi vjetor të hartuar sipas analizës së riskut, por inspektimet mund të kryhen edhe pa paralajmërim, veçanërisht në rastet kur ekzistojnë dyshime për shkelje të rregullave.
Një nga elementet e reja të kontrollit lidhet me teknologjinë. Agjencia do të ketë akses 24 orë në ditë në sistemet e kamerave të kompanive, ndërsa për monitorimin e aktiviteteve mund të përdoren edhe sensorë, dronë dhe imazhe satelitore.
Në rast se subjektet pengojnë kontrollet, inspektorët do të mund të kërkojnë mbështetjen e Policisë së Shtetit.
Gjurmueshmëri për çdo lëvizje të cannabis-it
Sipas rregullave të reja, çdo lëvizje e materialit duhet të regjistrohet në një sistem kombëtar gjurmueshmërie.
Pas korrjes, materiali nuk mund të kalojë në fazat e mëtejshme të përpunimit pa u regjistruar dhe, në rastet kur kërkohet, pa iu nënshtruar analizave përkatëse.
Për cannabis-in industrial është përcaktuar një kufi maksimal prej 0.8% THC. Në rast se analiza tregon një përmbajtje më të lartë se kufiri i lejuar, loti vendoset në karantinë.
Kompania ka të drejtë të kërkojë ritestim të materialit brenda dy ditëve pune.
Shkeljet, sekuestrimi dhe asgjësimi
Në rast të konstatimit të shkeljeve, subjektet do të ngarkohen me detyra konkrete për korrigjimin e tyre, brenda një afati maksimal prej 30 ditësh. Pas përfundimit të këtij afati do të kryhet rikontrolli.
Materiali për të cilin ekzistojnë dyshime mund të sekuestrohet përkohësisht. Ndërkohë, konfiskimi bëhet me urdhër të ministrit të Shëndetësisë.
Asgjësimi i materialeve do të kryhet vetëm nga subjekte të autorizuara.
Kompanive u njihet e drejta për të paraqitur ankime dhe për të kërkuar mbrojtjen e të dhënave të tyre tregtare. Licencat e subjekteve do të rivlerësohen të paktën një herë në tre vjet.
Miratohen edhe projektligje të tjera
Në mbledhjen e qeverisë janë miratuar gjithashtu një sërë projektligjesh dhe aktesh të tjera, që lidhen me fusha të ndryshme.
Ndër to janë:
-Përmbajtja dhe rregullat e plotësimit të Regjistrit të Vullnetarizmit, si dhe rregullat, afatet dhe procedurat e raportimit në bazën e të dhënave të shërbimeve të punësimit nga ofruesit e vullnetarizmit.
-Rregullat për organizimin, funksionimin dhe aksesin në regjistrin elektronik për kujdesin alternativ në familje.
-Rregullat dhe procedurat e monitorimit të situatës së fëmijës së vendosur në kujdes alternativ në familje, si dhe organizimi dhe zbatimi i monitorimit dhe inspektimit të këtij shërbimi.
-Rregullat e hollësishme për mbikëqyrjen e veprimtarive të licencuara dhe të lejuara me bimën e cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale.
-Projektligji “Për Këshillin Fiskal të Republikës së Shqipërisë”.
Ky i fundit përcakton kuadrin ligjor për krijimin, organizimin, funksionimin dhe përgjegjësitë e Këshillit Fiskal të Republikës së Shqipërisë, si person juridik publik i pavarur, me qëllim kontributin në disiplinën fiskale, transparencën dhe qëndrueshmërinë e financave publike, në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Gjithashtu është miratuar projektligji për mbikëqyrjen shtesë të institucioneve të kreditit, shoqërive të sigurimeve dhe shoqërive komisionere që janë pjesë e konglomerateve financiare.
Një tjetër projektligj i miratuar lidhet me tregjet e kriptoaseteve. Ai përcakton rregullat dhe kërkesat për ofertën ndaj publikut dhe pranimin për tregtim në një platformë tregtimi të kriptoaseteve, si dhe kërkesat që duhet të përmbushin ofruesit e shërbimeve të kriptoaseteve.