AKTUALITET, 2 October 2026, 19:33

Kërkesa për komision hetimor për KAYO, Kuvendi i përgjigjet Bardhit

Kërkesa për komision hetimor për KAYO, Kuvendi i përgjigjet

Kuvendi i Shqipërisë i ka kthyer përgjigje kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, lidhur me kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për veprimtarinë e kompanisë “KAYO sh.a.”.

Në përgjigjen e saj, Drejtorja e Përgjithshme e Shërbimit Legjislativ në Kuvend i bën me dije Bardhit se, në zbatim të Rregullores së Kuvendit dhe rregullave për organizimin dhe funksionimin e tij, kërkesa për ngritjen e komisionit është shqyrtuar në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, të zhvilluar më 17 shtator.

Sipas përgjigjes, gjatë mbledhjes nuk është arritur konsensus për elementet e komisionit. Për këtë arsye, është rënë dakord që kërkesa të mos shqyrtohej në seancën plenare të 24 shtatorit, por të kalonte për shqyrtim në seancën plenare pasuese.

Drejtorja e Përgjithshme e Shërbimit Legjislativ i ka bërë gjithashtu të ditur Bardhit se java në vijim është përcaktuar si javë e posaçme e deputetëve me zgjedhësit.

Për rrjedhojë, edhe seanca plenare e muajit tetor është tërësisht e dedikuar për diskutimin e problematikave të evidentuara gjatë javës së veprimtarisë së deputetëve me zgjedhësit.

Në përfundim, sipas përgjigjes së Kuvendit, kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për veprimtarinë e kompanisë “KAYO sh.a.” ka kaluar për shqyrtim dhe vendimmarrje në seancën plenare pasuese.