AKTUALITET, 2 October 2026, 15:30

Shtrenjtohen sërish ushqimet, çmimet kapin nivelin më të lartë në gati 4 vjet

Shtrenjtohen sërish ushqimet, çmimet kapin nivelin më të

Çmimet e ushqimeve në tregjet botërore u rritën edhe gjatë shtatorit, duke arritur nivelin më të lartë në gati katër vjet. Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e OKB-së (FAO) thotë se rritja po nxitet nga problemet në transportin detar dhe pasiguria për kushtet e motit.

Indeksi i Çmimeve të Ushqimeve i FAO-s u ngjit në 136 pikë nga 134 pikë që ishte në gusht, duke shënuar nivelin më të lartë që nga nëntori 2022.

Rritjen më të madhe e kanë dhënë drithërat, sheqeri dhe vaji vegjetal. Sipas FAO-s, çmimi i sheqerit është rritur nga shqetësimet për një fenomen të fortë El Nino, ndërsa gruri është shtrenjtuar për shkak të vështirësive në transportin detar në Detin e Zi.

"Po shohim një rritje të vazhdueshme të çmimeve globale të mallrave, ndërsa ndërprerjet në Ngushticën e Hormuzit dhe Detin e Zi kombinohen me goditjet klimatike", tha kryeekonomisti i FAO-s, Maximo Torero.

Sipas tij, nëse këto presione vazhdojnë, rritja e kostove do të reflektohet edhe në çmimet që paguajnë konsumatorët, sidomos në vendet që varen nga importi i ushqimit dhe energjisë.

Ndërkohë, FAO la pothuajse të pandryshuar parashikimin për prodhimin global të drithërave në vitin 2026, por uli pritshmëritë për tregtinë botërore, duke përmendur kufizimet në rrugët detare të transportit në Detin e Zi.