AKTUALITET, 3 October 2026, 12:04

Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale/ Gogu: 2348 të paraburgosur, 56% më shumë se të dënuarit

Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale/ Gogu: 2348 të

Ministria e Drejtësisë ka hedhur për konsultim publik ndryshimet e reja për Kodin e Procedurës Penale.

Në qendër të ndryshimeve janë paraburgimi, alternativat ndaj arrestit në burg, forcimi i garancive procedurale dhe mbrojtja e të drejtave të individit.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, publikoi sot të dhëna nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në lidhje me numrin e të paraburgosurve në vend.

Sipas Gogut, 2348 të paraburgosur, 56% më shumë se të dënuarit.

“Një nga shifrat që tregon pse rishikimi i Kodit të Procedurës Penale ka në fokus masat e sigurimit: paraburgimi të përdoret vetëm kur është i nevojshëm dhe proporcional, ndërsa alternativat të funksionojnë realisht”, thekson Gogu.

Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, 2 348 persona nga 4 335 persona gjithsej në sistemin penitenciar janë të paraburgosur, duke përbërë 54,2% të totalit.

Nga të dhënat rezulton se në sistemin penitenciar ndodhen:

2.348 të paraburgosur;
2.304 meshkuj;
31 femra;
13 të mitur;
1.509 të dënuar;
478 persona në mjekim të detyruar.
Në total, sistemi penitenciar numëron 4.335 persona.

Paketa e re e Kodit Penal me 105 nene është hartuar nga 19 akademikë dhe magjistratë nga Italia, Franca dhe Holanda, së bashku me ekspertët e Këshillit të Europës, me mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë italiane dhe asaj franceze, ndërkohë që sekretariati teknik shqiptar ka bërë vetëm koordinimin e gjithë kësaj pune voluminoze.

Procesi është vëzhguar nga Këshilli i Europës, që ka certifikuar çdo hap, si dhe dokumentin përfundimtar të projektndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale.

Paketa përfshin ndryshime të rëndësishme mbi masat e sigurimit, të drejtën e mbrojtjes, kontrollin gjyqësor, mbrojtjen e jetës private dhe të dhënave, prezumimin e pafajësisë, si dhe të drejtat e viktimave.