AKTUALITET, 25 July 2026, 13:59

Dhuna në protestën para Parlamentit/ Nesër masa e sigurisë për dy protestuesit, dyshohen për dhunë dhe hedhje kapsollash ndaj policisë

protesta e 38 7 korrik 11

Në Gjykatën e Tiranës pritet të zhvillohet nesër seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj Artemisa Islamajt dhe Orion Peçit, dy personave të arrestuar lidhur me episodet e dhunës gjatë protestës së së enjtes para Parlamentit.

Sipas burimeve, Policia ka administruar prova që i përfshijnë të dy në veprime të dhunshme, si dhe në furnizimin me mjete piroteknike të përdorura gjatë protestës ndaj efektivëve të policisë.

Më konkretisht, Artemisa Islamaj dyshohet se ka siguruar kapsolla për protestues të tjerë, ndërsa Orion Peçi dyshohet si autori i dëmtimit të një efektivi të forcave “Shqiponja” me një kapsollë.

Sipas hetimeve paraprake, Peçi fillimisht e ka vendosur kapsollën në një shishe plastike dhe më pas e ka hedhur në drejtim të efektivit të policisë.

Përveç dy të arrestuarve, në komisariatet e Tiranës janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje edhe rreth 30 protestues të tjerë. Një pjesë e tyre pritet të hetohen në gjendje të lirë.

Mes personave të shoqëruar kanë qenë edhe Dritan Goxhaj, i ndaluar më herët në një prej dy protestave të zhvilluara para Kuvendit, si dhe Edison Lika, një nga pjesëmarrësit aktivë në protestën e quajtur “Revolucioni Flamingo”. Të dy janë lënë të lirë pas disa orësh.