TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar pas lajmeve për një përplasje të mundshme mes tij dhe kryeministrit Edi Rama gjatë mbledhjes së socialistëve një ditë më parë.
Braçe i ka cilësuar këto raportime si pjesë të një fushate linçimi politik, duke i krahasuar me rastet kur deputetë janë sulmuar publikisht pa arsye.
“Kjo është njësoj si teknologjia e vezës, asaj vezës që qëllohen deputetë pa asnjë shkak, pa u ditur as emri i një pjese, por është në të njëjtën linjë, synon vetëm linçimin, ndaj është ‘vrasje me pagesë’ në politikë”, u shpreh Braçe.
Ai tha se përpara se të niste fjalën e tij në mbledhje, u kishte kërkuar kolegëve që diskutimet të mos dilnin jashtë, por sipas tij kjo nuk ndodhi.
“Dje para se të nisja të flisja, u kërkova kolegëve të mos nxirrnin përjashta asgjë nga ato që unë do flisja aty. Ja që ndodhi kjo që lexova, madje edhe e transformuar”, deklaroi deputeti socialist.
Braçe u ndal edhe te angazhimi i marrë gjatë mbledhjes për të ndëshkuar ata që nxjerrin jashtë diskutimet e brendshme të partisë, duke thënë se pret që ky premtim të zbatohet.
“Tani meqë dje u mor një angazhim për të bërë shembull njërin ndër ata që nxjerrin fjalët e shtëpisë për të vrarë politikisht atë tjetrin atje matanë, unë mezi pres që të mbahet fjala. Pra të bëhet shembulli”, tha ai.
Duke sqaruar daljen e tij nga mbledhja, Braçe hodhi poshtë zërat se ishte larguar apo përjashtuar nga takimi.
“Mua dje nuk më ka nxjerrë askush jashtë, jam ulur sepse nuk kam pasur çfarë të them më, e pasi kam thënë aty, e në mbledhjen pararendëse, gjithçka që thonë socialistët prej një viti. Kam dalë jashtë vetë sepse nuk kam pasur më çfarë të dëgjoja. Kjo është e vërteta”, përfundoi Erion Braçe.