AKTUALITET, 25 July 2026, 11:11

Kakavija bllokohet për 4 orë, greva në palën greke ndërpret lëvizjen drejt Greqisë

Lëvizja në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë do të ndërpritet përkohësisht ditën e hënë, 27 korrik 2026, për shkak të një greve të punonjësve të palës greke.

Njoftimi është bërë nga Dega Doganore Kakavijë, e cila ka bërë të ditur se, sipas autoriteteve doganore greke, nga ora 07:00 deri në 11:00 (me orën shqiptare) do të pezullohet procesimi doganor dhe kalimi i automjeteve në hyrje dhe dalje nga pika kufitare.

Gjatë këtij intervali kohor, të gjitha automjetet do të kenë të bllokuar lëvizjen për shkak të ndërprerjes së shërbimeve nga pala greke.

Dogana Shqiptare u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve që planifikojnë të udhëtojnë drejt Greqisë që të shmangin përdorimin e Pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë gjatë orarit 07:00–11:00 të së hënës.

Autoritetet këshillojnë udhëtarët që të planifikojnë lëvizjet e tyre jashtë këtij intervali, me qëllim shmangien e vonesave dhe pritjeve në kufi.