AKTUALITET, 25 July 2026, 10:49

Vidhishta në zi pas tragjedisë që tronditi vendin, banorët përcjellin sot në banesën e fundit çiftin Plaka

Fshati Vidhishtë i Roskovecit është zgjuar këtë mëngjes nën peshën e heshtjes dhe dhimbjes, pas tragjedisë së rëndë që tronditi mbarë vendin.

Në rrugicat e fshatit nuk dëgjohen më zërat e zakonshëm të banorëve. Të gjithë janë drejtuar drejt banesës së familjes Plaka, ku janë hapur dyert e mortit për dy bashkëshortët që humbën jetën në ngjarjen e rëndë kriminale.

Mes lotësh dhe tronditjesh, banorët dhe të afërmit kujtojnë dy të ndjerët si njerëz të urtë, punëtorë dhe të respektuar nga i gjithë komuniteti.

Askush në fshat nuk arrin ta besojë se brenda pak minutash një familje u shkatërrua dhe një komunitet i tërë u zhyt në zi.

Sot, në orën 11:00, familjarë, miq dhe qindra banorë do t’u japin lamtumirën e fundit dy bashkëshortëve në varrezat e fshatit. Ceremonia pritet të jetë e mbushur me dhimbje dhe emocion, ku heshtja dhe lotët do të flasin më shumë se fjalët.

Ndërkohë, ceremonia mortore për autorin e ngjarjes do të zhvillohet paraditen e së dielës. Ky vendim është marrë për të shmangur çdo tension të mundshëm mes familjeve, pasi ato jetojnë në të njëjtën zonë dhe ceremonitë do të zhvillohen në të njëjtat varreza.

Edhe pse kanë kaluar vetëm pak orë nga tragjedia, pasojat e saj kanë lënë gjurmë të thella në Vidhishtë. Banorët shprehen se ky mëngjes do të mbetet gjatë në kujtesën e tyre, si dita kur një familje u shua dhe një fshat i tërë humbi qetësinë.