AKTUALITET, 25 July 2026, 13:38

Arrestohet në Shqipëri 26-vjeçari i kërkuar nga Interpol Roma, pritet ekstradimi drejt Italisë

33.PNG

Një tjetër person i shpallur në kërkim ndërkombëtar ka rënë në prangat e Policisë së Shtetit, në kuadër të operacioneve të zhvilluara nga Sektori për Kërkimin (FAST Albania), pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale.

Policia bën me dije se është lokalizuar, kapur dhe arrestuar provizorisht, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, një 26-vjeçar i njohur si Spartak Berisha, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Shtetasi Spartak Berisha, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Breshias, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për akuzën e pjesëmarrjes në një organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike, vepër penale e parashikuar nga Kodi Penal italian.

Sipas autoriteteve italiane, për këtë vepër penale parashikohet një dënim maksimal deri në 24 vjet burgim.

Aktualisht, Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat ligjore për ekstradimin e 26-vjeçarit drejt Italisë.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet nga Sektori për Kërkimin (FAST Albania), në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, një tjetër fazë e operacionit policor të koduar "Fast".

Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, një 26-vjeçar i kërkuar ndërkombëtarisht për pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga shërbimet operacionale të Sektorit për Kërkimin (FAST Albania), në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, është finalizuar një tjetër fazë e operacionit policor të koduar "Fast".

Si rezultat i këtij operacioni, specialistët e Sektorit për Kërkimin (FAST Albania), në bashkëpunim me strukturat operacionale të DVP Durrës dhe të Komisariatit të Policisë Kavajë, lokalizuan në Kavajë dhe arrestuan provizorisht, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, shtetasin:

S. B., 26 vjeç, banues në Kavajë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Breshias, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprën penale "Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike", të parashikuar nga Kodi Penal i Italisë. Për këtë vepër penale parashikohet dënim maksimal deri në 24 vjet burgim.

Nga hetimet rezulton se 26-vjeçari, si pjesëtar i një organizate kriminale të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, por edhe nga disa shtetas italianë, në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të kësaj organizate, ka trafikuar lëndë narkotike, me qëllim shpërndarjen e saj në disa zona të Italisë.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e 26-vjeçarit drejt Italisë.