AKTUALITET, 25 July 2026, 13:47

Operacioni për ndërtimet pa leje në Sarandë/ Lirohen dy të arrestuar të tjerë, në burg mbetet vetëm ish-shefi i Komisariatit, Gëzim Bashllari

34.jpg

Dy persona të tjerë të arrestuar në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Sarandës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) janë liruar nga gjykata, duke e çuar në 13 numrin e personave ndaj të cilëve është ndryshuar masa e sigurisë nga “arrest në burg” në masa më të lehta.

Inspektori i Policisë, Robert Culli, i cili ndodhej në paraburgim që prej datës 15 maj nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, është liruar me vendim të Gjykatës së Apelit. Kjo e fundit ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj tij, duke vendosur “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Ndërkohë, Mirdar Koshi, i cili u vetëdorëzua më 15 korrik pasi akuzohet për “ndërtim të paligjshëm”, është lënë nga Gjykata e Sarandës në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Nga 14 personat e arrestuar deri tani në kuadër të dy operacioneve të zhvilluara më 15 dhe 25 maj nga AMP dhe Prokuroria e Sarandës, në qeli me masën “arrest në burg” vijon të qëndrojë vetëm ish-shefi i Komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari.

Bashllari u arrestua më 15 maj nga AMP dhe dy shkallët e gjyqësorit kanë vendosur të lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij.

Ndërkohë, të gjithë personat e tjerë të proceduar në këtë dosje janë liruar me vendime të ndryshme të gjykatave, ndërsa vijojnë të mbeten në kërkim edhe dy persona të fundit të proceduar në kuadër të hetimeve.

Hetimet e Prokurorisë së Sarandës dhe AMP vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj dosjeje.