TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po ndjek një proces të njëanshëm për reformën territoriale, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që të reagojnë për këtë çështje.
Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se opozita e ka kundërshtuar procesin e ndjekur nga mazhoranca dhe se në Kuvend ka mbajtur të bllokuar për disa orë seancën parlamentare, duke e përqendruar debatin te reforma territoriale dhe kërkesat e protestuesve.
Sipas kreut të PD-së, opozita mori pjesë në komisionin për reformën territoriale për të mbrojtur interesat e qytetarëve, duke paraqitur një alternativë që parashikonte rritjen e numrit të bashkive dhe krijimin e njësive të reja vendore, në përputhje me ndryshimet demografike.
Berisha pretendoi se kryeministri Rama është tërhequr nga procesi i konsultimit dhe ka miratuar në mënyrë të njëanshme raportin për reformën territoriale, duke e cilësuar këtë veprim si të kundërligjshëm.
“Ai bën gjithçka për një konfrontim dhe unë ftoj qytetarët që këtë reformë kaq të rëndësishme për ata, për komunitetet e tyre, për zonën e tyre, të mos e lënë në duart e Edi Ramës, por të bashkohen me kryengritjen e përgjithshme popullore në Tiranë gjer në largimin e tij”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së foli edhe për zhvillimet e fundit politike, duke akuzuar qeverinë se ka miratuar ligje dhe ndryshime ligjore që, sipas tij, favorizojnë interesa të caktuara.
“Këtë javë, Edi Rama përdori forcën e kartonave të tij të krimit për të votuar në parlament ligje dhe amendime të Kodit Civil, të Kodit Detar, me të cilat ai mbështet fuqishëm oligarkët dhe interesat e tij kriminale”, tha Berisha.
Ai akuzoi gjithashtu mazhorancën se ka përdorur pushtetin për të shpërndarë fonde që, sipas tij, u janë marrë pensionistëve dhe qytetarëve shqiptarë, duke bërë edhe akuza të tjera politike ndaj qeverisë.
Berisha kritikoi edhe menaxhimin e protestave të fundit, duke pretenduar se ndaj protestuesve është përdorur dhunë dhe mjete kimike për shpërndarjen e turmës.
“Ai përdori dhunën më të egër, lëndët helmuese, djegëse, kimike njëlloj si ato që përdoren në llogoret e luftës kundër armiqve, i përdori ndaj protestuesve paqësorë”, u shpreh kryetari i PD-së.
Sipas Berishës, kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, të cilin ai vijon ta cilësojë si jolegjitim, duke përsëritur akuzat e opozitës ndaj qeverisë.
Në deklaratën e tij, kreu i PD-së kritikoi gjithashtu qëndrimet e kryeministrit për luftën kundër korrupsionit, duke pretenduar se Rama ka injoruar rastet e dënimeve të zyrtarëve të lartë në Shqipëri.