AKTUALITET, 24 August 2026, 10:31

Detaje të reja/ Dyshohet se 25-vjeçarja, që ishte në muajin e 8-të të shtatzanisë, u vra nga bashkëshorti

Jetlira Foniqi, 25 vjeç, është gruaja që humbi jetën mbrëmjen e së dielës në Malishevë, Kosovë. E reja ishte shtatzënë, në muajin e 8-të.

Për ngjarjen tragjike kanë reaguar edhe familjarët e viktimës, ndërsa Policia e Kosovës ka bërë të ditur se 25-vjeçarja ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.

Sipas mediave në Kosovë, dyshohet se autor i krimit është bashkëshorti i saj, 26 vjeç. Policia njoftoi se çifti u gjet i plagosur në dhomën e gjumit.

25-vjeçarja nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë, ndërsa bashkëshorti i saj, i cili gjithashtu mbeti i plagosur, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, sipas Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Rrethanat e plota të ngjarjes dhe motivi i mundshëm i krimit mbeten ende nën hetim nga autoritetet.