TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Protesta e banorëve të Divjakës kundër reformës së propozuar administrative ka hyrë këtë mbrëmje në ditën e 24-t, ndërsa qytetarët vijojnë të kundërshtojnë përfshirjen e bashkisë së tyre në projektin e riorganizimit territorial të propozuar nga mazhoranca. Edhe pse numri i protestuesve ishte më i ulët krahasuar me ditët e mëparshme, banorët që kanë vijuar qëndresën shprehen të vendosur për të mos lejuar shkrirjen e Bashkisë Divjakë dhe bashkimin e saj me Bashkinë Lushnjë.
Protestuesit kanë deklaruar se krahas presioneve verbale, sipas tyre, kanë nisur edhe gjobat ndaj bizneseve, të cilat ata i konsiderojnë si përpjekje për të dobësuar dhe shuar protestën. Megjithatë, banorët shprehen se nuk do të tërhiqen dhe do të vijojnë të protestojnë deri në momentin që kërkesat e tyre të dëgjohen. Qëndrimi i tyre është i qartë: Divjaka duhet të vijojë të funksionojë si bashki më vete dhe të mos i bashkëngjitet Lushnjës. Banorët argumentojnë se vendimi për riorganizimin e njësive vendore duhet të marrë në konsideratë vullnetin dhe interesin e komunitetit.
Protesta është mbyllur me një marshim në rrugët e qytetit, ku qytetarët kanë përsëritur disa prej sloganeve kundër reformës, mes tyre: “Mazniku propozon, Divjaka kundërshton”, “Divjaka bashki”, “Divjaka e qytetarëve, jo e pushtetarëve”. Në fund të marshimit, protestuesit përcollën edhe një tjetër mesazh për vijimin e qëndresës: “Nesër më shumë”, duke paralajmëruar se protesta do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.