AKTUALITET, 23 August 2026, 20:12

Protesta e 85-të kundër klasës politike, qytetarët marshojnë drejt Kryeministrisë

Protesta e 85-të radhazi kundër qeverisë është zhvilluar këtë të diel në Tiranë, me qytetarë që u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas nisën marshimin drejt Kryeministrisë.

Pjesëmarrësit kanë përsëritur thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa gjatë marshimit janë dëgjuar edhe thirrje për një “Shqipëri të Re” dhe ndryshim politik.

Protestuesit deklarojnë se largimi i Ramës nga detyra mbetet kërkesa e tyre kryesore dhe e panegociueshme. Në platformën e tyre kërkohet gjithashtu krijimi i një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor, e cila do të përgatiste vendin për zgjedhjet e ardhshme.

Një tjetër kërkesë e ngritur nga protestuesit lidhet me shfuqizimin e disa nismave ligjore, të cilat ata i konsiderojnë të dëmshme dhe në kundërshtim me interesat e qytetarëve shqiptarë.

Protesta vijon me marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ndërsa qytetarët përsërisin sloganet kundër qeverisë dhe kërkojnë ndryshime të thella politike në vend.