AKTUALITET, 24 July 2026, 09:00

Axhenda/ Rama mbledh qeverinë dhe grupin e PS, pritet fjalimi që e paralajmëroi më herët. Zbardhen diskutimet

Kryeministri Edi Rama mbledh sot, 24 korrik, qeverinë dhe Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste.

Mbledhja nis në orën 09:30.

Pritet që Rama të mbajë një fjalim me fokus zhvillimet e fundit politike dhe protestën e opozitës.

Një ditë më parë, kreu i qeverisë publikoi një video në rrjetet sociale. Ai u shfaq duke përgatitur fjalimin që do mbajë këtë të premte. Në sfond dëgjoheshin protestuesit me thirrjet “Rama, jepe dorëheqjen”.

Kryeministri reagoi me ironi, duke thënë se ky kor e “ekzalton”.

Në një pjesë të fjalimit të publikuar paraprakisht, shkruhet se qytetarët që mbushën bulevardin dhe rrjetet sociale nuk protestuan kundër Shqipërisë që, sipas tij, është ndërtuar gjatë tre mandateve të Partisë Socialiste.

Mësohet se fjalën do ta marrë fillimisht kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i cili do të paraqesë një bilanc mbi drejtimin e Kuvendit dhe futjen e teknologjisë në funksionimin e institucionit.

Më pas, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, do të bëjë një bilanc të punës së grupit gjatë këtij sesioni parlamentar, duke u ndalur te angazhimi i deputetëve në komisionet parlamentare dhe në seancat plenare.

Në përfundim të mbledhjes, fjalën përmbyllëse do ta mbajë kryeministri Edi Rama, që siç u shpreh dhe mbrëmjen e djeshme, do të ndajë qëndrimin e tij për protestën.