AKTUALITET, 23 July 2026, 23:15

"Administrata nuk pje*** njeri"/ Endri Meksi: Protesta e ka stresuar Ramën, por ai mund ta përdorë për spastrime serioze në PS 

Drejtori i MCN TV, Endri Meksi, i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ka folur për protestën e qytetarëve e cila vijon prej 54 ditësh. 

Meksi deklaroi se kjo protestë e ka "stresuar" kryeministrin, por është një mundësi që ai të "spastrojë" Partinë Socialiste.

Ndërkohë protestën e konsideroi ngjarjen më të shëndetshme që i ka ndodhur Shqipërisë. 

"Pas hetimeve të SPAK për AKSHI-in, është gjëja e dytë më e mirë që i ka ndodhur Shqipërisë në këto dy vite. Ngjarja pothuajse më e shëndetshme që kemi patur, pavarësisht se shumë e paqartë në lexime pothuajse nga të gjithë aktorët. Unë pata shasin ta lexoja herët si shprehje e acarimit qytetar, për arrogancën e aktorëve që kanë pushtet në Shqipëri, dhe këtu i jam referuar administratës, poshtë rangut të ministrave, këta tipat që nuk të pjerdhin asnjëherë në asnjë zyrë. Kapin qiellin çdo herë, sillen si Zot në zyrën e tyre, nuk duan të dinë çfarë u thua ti, nene, ligje, rregullore, zero fare. Gjithmonë këtë e bëjnë në emër të perëndisë, fola me Ramën thonë, por është mashtrim. Në këtë sens, secili nga shqiptarët që kanë dalë në protestë kanë një histori të tillë, në jetën e përditshme, në shkallë më të vogël, ku sistematikisht ai përdhunohet. Protesta ishte vendi ku ata shfryn dufin ndaj kësaj lloj ndjenje. Kështu e kam lexuar. 

Protesta nuk u strukturua në një grupim, kjo e bën më të shëndoshë dhe ndoshta do të jetë mekanizmi, për sa kohë partia opozitare është e paaftë, të krijojë presionin e duhur në një format check and balance ndaj qeverisë. 

Aktualisht presionin ndaj pushtetit ekzekutiv e ka SPAK, media dhe protesta. Ai i protestës është më stresuesi, sepse është totalisht jashtë kontrollit.

Protesta e ka stresuar kryeministrin mjaftueshëm. Edhe ai vetë pak nga pak e ka kuptuar, që kjo protestë nuk është me hile, nuk është në të keqen time personale, përse të mos e përdor për të bërë ca spastrime serioze në PS dhe në administratë, nga një tufë hala dhe gjemba që kam? 

Do të ishte një këndvështrim pragmatist, meskin, do të na mërziten protestuesit me vëllain tim në krye, por në këndvështrimin e zotit Rama, do të thoja se drejt kësaj gjëje po shkojmë", deklaroi Meksi.