AKTUALITET, 23 July 2026, 23:06

“Shantazhuan edhe vetë pushtetin!”/ Afera e AKSHI-t, Endri Meksi: Ndihma më e madhe i erdhi Ramës nga SPAK-u...

Sipërmarrësi dhe drejtori i MCN TV, Endri Meksi, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, deklaroi se afera e AKSHI-it ka një veçanti krahasuar me aferat e tjera të zakonshme në Shqipëri, pasi aty të dhëna mjaft sensitive ranë në duar të personave që i përdorën për shantazh edhe ndaj vetë shtetit. 

Meksi tha se ndihma më e madhe i ka ardhur Edi Ramës nga vetë SPAK për ta spastruar institucionin, ndërkohë që tha se ndryshe nga perceptimi i PD se SPAK po godet Ramën për këtë aferë, kjo nuk qëndron. 

"Është një aferë dhe si çdo aferë në Shqipëri ka të bëjë me kapjen e parasë publike. Ky është leximi i parë. Ndryshon nga të tjerat sepse u përfshinë në të, aksesi në sisteme të dhënadh shumë të veçanta ku shumë pak vetë supozohet të kenë akses edhe me ligj. Gjithë këto aksese u akumuluan në duar të 2-3 personave maksimumi dhe këta 2-3 persona, në këndvështrimin e denocnimeve publike që kam bërë unë, këtë akses në informacion këta persona e kanë shfrytëzuar për të shantazhuar vetë shtetin, vetë pushtetin.

Ndryshon nga çdo tentativë tjetër e çdo shqiptari të korruptuar, apo që ka pak pushtet dhe para. Nuk ka të dhëna ne mes, tenderat e tjerë janë pazare klasike në mes, influence, lobimi. Situata e AKSHI është ndryshe. Duke qenë edhe institucion me para të madhe buxhetore, dëmi që kanë krijuar edhe në perceptimin publik të qeverisjes, ishte relativisht i madh, më i madhi dëm që i është krijuar qeverisjes Rama, ka ardhur nga kjo aferë, për shkak edhe të emrave që u përmendën dhe mënyrës si është trajtuar dhe dëmtuar institucioni dhe akoma nuk ka mbaruar, pasi jemi në fazën hetimore. 

Jo se është lënë me vetëdije, ka patur shumë dezinformim dhe shantazh. Që nga historia e hakerimit të famshëm të 2022, por edhe më herët, që te historia e patronazhistëve të 2021, është dora e të njëjtëve njerëz që në formë konstante kanë mashtruar apo shantazhuar pushtetin qëndror. Mos prit të ta konfirmojë njeri këtë gjë, sepse është si te piramidat, që të shpresosh të gjesh qeveritarë të atyre viteve që të tregojnë se çfarë dinin që në ’94, ’95, ’96. 

Ndihma më e madhe kryeministrit Rama i erdhi nga SPAK-u nga kjo aferë. Në optikën time ai nuk do të kishte qenë kurrë i aftë të bënte spastrimet e nevojshme në hierarkinë e AKSHI pa ndihmën e SPAK. 

Strukturat klasike të kontrollit të brendshëm shtetëror, kanë dështuar prej kohësh. Një ndihmë e madhe i erdhi nga një strukturë, që ai mburret se e ka krijuar ai, okej, i dha një dorë të rëndësishme, pavarësisht se perceptimi publik, sidomos edhe në PD, është se SPAK po godet kryeministrin Rama te afera e AKSHI-t. Për mua jo. SPAK po bën ligjin dhe kaq", deklaroi Meksi.