AKTUALITET, 23 July 2026, 23:32

“Shqiptarët janë popull punëtor”/ Meksi: E shoh pozitivisht Shqipërinë, vend dinamik, nuk duhet të projektojmë dështimet tona si faje të shoqërisë

Sipërmarrësi dhe drejtori i MCN TV, Endri Meksi, u shpreh optimist për Shqipërinë, gjatë një interviste për Ylli Rakipin në emisionin "Të Paekspozuarit". 

Meksi deklaroi se Shqipëria ka ndryshuar shumë që prej vitit 2013 dhe se vendi është dinamik, por mbeten ende gjëra për tu korrigjuar. 

"Unë e shoh pozitive, jam ndër ata pak persona që e shoh Shqipërinë pozitive. Është një Shqipëri dinamike, që punon, do ta lidhja me një shprehje të Sarkozy “Kjo është Franca që zgjohet herët”. E thotë në fushatë për zgjedhjet e 2007, Sarkozy del në një pazar të peshkut, në jug të Parisit, shkon aty në 06:00 të mëngjesit, futet mes shitësve të peshkut me erë të qelbur dhe i flet Francës që zgjohet herët.

Në fakt, unë fle vonë dhe në mengjes shoh Tiranën që zgjohet herët dhe është një Tiranë dinamike. Është një Shqipëri dinamike, në ndryshim konstant. Ne tentojmë të projektojmë dështimet tona personale si faje të shoqërisë. Shoqëria po punon dhe kaq. Është një Shqipëri shumë ndryshe nga ajo e 2013, është shumë ndryshe nga ajo e 2017 dhe 2021. Kjo nuk ka të bëjë as me merita dhe aq kritika ndaj qeverisjes. Kjo është një realitet që unë shoh, të një Shqipërie që ka goxha dinamicitet.

Ka shumë korrigjim për ti bërë, po të shohësh krahasimin Amerikë-Europë, një nga akuzat që i bëhet Europës, është mos aftësia e saj për të reformuar tregun e investimit, kapitalit, mungesa e kapacitetit të Europës për të përdorur paranë që është në treg, më mirë. Ky është defekt që ka ardhur gradualisht, nja 200 vite, që ka të bëjë me tregun e bursave. Ne nuk e replikojmë dot, por ndoshta ndonjë reformë e tregut bankar apo në tërësi, nxitje nga ana e qeverisjes për përdorimin e atyre depozitave që aq shumë lavdërohen që janë në bankat shqiptare, në shifra të frikshme, ti vendosim në qarkullim. Të mos merren me nenin për mbrojtjen e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë nga armiq të paqartë rus apo iranianë, por të reformojnë tregun bankar, që dinamizmi i shqiptarëve, që është një popull punëtor dhe që ka treguar se e do kapitalizmin, të marrë një dorë, përtej parave të pista që do të vazhdojnë të vijnë. Pra paraja e pastër të gjurmojë të pistën", deklaroi Meksi.