AKTUALITET, 24 Maj 2023, 16:36

Rritja e rrogave/ “S’ka të bëjë vetëm me deputetët”, Erion Braçe: Po bëhet revolucion, duhet të rimodelohet administrata

Rritja e rrogave/ “S’ka të bëjë vetëm me

Teksa nesër i gjithë fokusi në Kuvend do të jetë për rritjen e pagave të deputetëve, kjo çështje ka nxitur debat në publik. Deputeti i PS, Erion Braçe thotë se duhet lënë jashtë diskutimeve politika dhe të gjithë të fokusohen te llogaritë. Braçe pohoi se qëllimi në të vërtetë është te punonjësit ose thënë ndryshe shërbyesit e shtetit, për të cilit po bëhet revolucion.

Sipas socialistit, qeveria është përqendruar te rritja e pagave për pozicionet ku ka probleme si mjekët që po largohen nga vendi pasi jashtë shtetit i ofrohet pagë më e lartë.

“Sa herë që vjen tema e parave në tryeza, publiku e brenda familjeve ka një reagim edhe gjaknxehtë shpesh herë. E kam ndjerë dje, por do të doja të theksoja se vendimi që është diskutuar të paktën 2 ditët e fundit s’ka të bëjë vetëm me rrogën e deputetit se po keqinterpretohet e gjitha. Më vjen keq, kam zëra pafund të njerëzve që përfitojnë nga arsimi, siguria e shëndetësia dhe nga ana tjetër ata që konsiderohen nëpunës, pra administrate që operon në zyrat e ministrive. Me thënë të drejtën për ta bëhet një revolucion. Që rroga e mësuesit në shkollën e mesme që në 2013 ishte 62 mijë në 110 mijë lekë. Në 9 vjeçare nga 59 mijë shkon 99 mijë e me radhë, bëhet revolucion i qartë në sistemin parauniversitar. Gjëja më e rëndësishme e këtij vendimi është ky, jo e deputetit apo ministrit se janë pjesa më e madhe e shërbyesve të shtetit. Po rrisim rrogat atje ku kemi problemet më të mëdha. Në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë ka burra e gra që i bëjnë nder dhe qëndrojnë me atë rrogë. Ka edhe të tjerë që nuk meritojnë asgjë”, tha Braçe për report.

Pas shpërndarjes së të ardhurave, Braçe thotë se fokusi duhet të jetë te produktiviteti i administratës. “Ne kemi produktivitet të ulët të administratës. Ngelen para pa hesap se një pjesë e madhe e administratës nuk përfshihet dhe kur e bën është ose klienteliste, ose e korruptuar. Të rimodelohet administrata”, tha Braçe. Analisti Lorenc Vangjeli shprehet se nesër do të jetë ditë e zjarrtë në parlament, ku do të shihet si do të valëvitet flamuri i populizmit për të gjithë ata që mendojnë se rroga e deputetit duhet të qëndrojë në vend.