AKTUALITET, 24 Maj 2023, 13:41

Berisha për zgjedhjet e 14 Majit: Vota u ble me vendim qeverie

Berisha për zgjedhjet e 14 Majit: Vota u ble me vendim qeverie

Ish-kryeministri Sali Berisha sërish sot u ndal tek zgjedhjet e 14 majit, që sipas tij ishte një farse elektorale. Në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar të thirrur nga vetë ai u shpreh se për herë të parë vota u ble me vendim qeverie.

Ai solli në vëmendje shpërblimin që iu dha pensionistëve, por edhe rritjen e rrogave.

Berisha po ashtu u shpreh se është ushtruar një terror i egër policor dhe nga administrata e shndërruar në polici politik.

“Për herë të parë ju mund të riktheni në memorie, studio dhe debate televizive ku njerëz me sy të mendjes së verbuar bënin çdo gjë që të fshinin dhe maskonin blerjen masive të votës për herë të parë, haptas publikisht me vendime qeverie.

Propagandë qeveritare ia doli, imagjonini në një anë 670 mijë zarfa me 50 mijë lekë secila në xhepin e 670 mijë votuesve.

Rritja e rrogave, qenkan 310 mijë punonjës. Të gjithë këta së bashku së marrë bëjnë 980 mijë zgjedhës. Në anën tjetër fajin e ka Sali Berisha. Po ka njerëz më padinjitet sesa këta. Ka mercenarë më të shpifur. Ka pseudointelektuale më mjeranë se këta, të cilët duhet të mbrojnë në një mënyrë ose tjetër interesin publik.

Unë i ndala në këtë aspekt sepse këto zarfa ishin publik. Rama për herë të parë kaloi në shpërndarje publike parash. Po për aspektin nën dorë, nuk bëhet fjalë.

Duan të bindin shqiptarët se fajin e ka Berisha dhe opozita. Çfarë po ndodh tjetër? Gjithçka drejtohet nga Edi Rama, është ushtruar një terror i egër policor dhe jo vetëm policor por edhe nga administrata e shndërruar në polici politike”, tha Berisha.