TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në seancën e djeshme të Kuvendit pati përplasje të ashpra mes deputetëve të PD-së, që shkuan deri afër përplasjes fizike. E akuzuar se po mbante anën e grupit të Alibeajt, që njihet si kryetar i grupit parlamentar të PD-së, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, nxorri një shkresë të datës 15 janar 2022 ku me firmën e Alibeajt ishin përjashtuar nga grupi i PD-së, 4 deputetë të saj, me akuzën se kishin marrë pjesë në përplasjen mes palëve të selia e PD-së më 8 janar.
Oerd Bylykbashi, deputeti i PD-së dhe afër grupit të PD-së së Berishës, tha për emisionin “Të Paekspozuarit” se ajo shkresë pa vulë është e jashtligjshme, siç janë vetë përjashtimet, sepse vetëm deputeti e vendos vetë nëse ikën nga grupi parlamentar dhe nuk mund të përjashtohet.
“Përplasja në PD dje erdhi pasi ne i kërkuam kryetares së Kuvendit pse 5 deputetë të PD-së, Sali Berisha, Albana Vokshi, Edmond Spaho, Flamur Noka dhe Luan Baçi ishin përjashtuar nga grupi i PD-së. Është kërkesë që ka filluar që në 10 shtator 2021 e bërë prej meje për procedurë, ka vijuar prej meje dhe të tjerëve për të kërkuar llogari pse janë përjashtuar në kundërshtim me kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe Rregulloren e Parlamentit dhe është kryetarja e Kuvendit që i referohet rregullores së Kuvendit dhe grupit parlamentar të PD-së.
Kryetarja, me akordin e Alibeajt, nxorri një shkresë për herë të parë. Pamë që me firmën e z. Alibeaj, pra ditën që kishte dhënë dorëheqjen Alfred Rushaj si kryetar i grupit parlamentar të PD-së dhe ishte emëruar z. Alibeaj si kryetar grupi me procedura krejt të paligjshme, pra po atë ditë z. Alibeaj kishte firmosur për përjashtimin nga grupi parlamentar të 4 deputetëve Albana Vokshi, Edmond Spaho, Flamur Noka dhe Luan Baçi, ndërkohë që z. Berisha me shkresën e z.Basha më 11 shtator 2021 ishte lënë jashtë grupit parlamentar.
Kushtetuta e ndalon mandatin imperativ, pra askush nuk mund të urdhërojë dhe të vendosë mbi mandatin e një deputeti pasi ai zgjidhet. Kodi Zgjedhor thotë se mbasi depozitohet lista e kandidatëve, një parti nuk i ndryshon dot ata. Pra kush zgjidhet për PD-në, apo një tjetër, është deputet i asaj partie dhe KQZ ka deklaruar listën me të gjithë deputetët. Mbas kësaj i lind e drejta deputetëve të një partie që nëse duan të largohen nga PD-ja, vetëm ata e vendosin nëse ikin apo jo.
Rregullorja e Kuvendit detyron mënyrën e krijimit të grupeve parlamentare, ose grupe partiake që dalin nga zgjedhjet, me deputetë të një force, ose grupe me afilacion politik, ku deputetë të larguar nga grupet apo të pavarur mund të krijojnë një grup me një emër të caktuar, siç ka të tillë në Kuvend.
Përtej kësaj, as kryetari i Kuvendit, as shumica e Kuvendit, as kryetari i grupit, as grupi parlament, as kryetari i partisë nuk mund të vendosë për një deputet të një partie. Akti i Lulzim Bashës është i paligjshëm, vendimi i Alibeajt edhe pa vulë është i paligjshëm. Janë dy shkresa, të dyja me firma të Alibeajt që përdoren nga Edi Rama për të mbajtur peng PD-në: Padia e paligjshme në gjykatë dhe kjo shkresë për përjashtimin e deputetëve nga grupi parlamentar”-tha Bylykbashi.