AKTUALITET, 22 Dhjetor 2022, 18:36

Arrestohet efektivi 24-vjeçar që dyshohet se vodhi 30 mijë euro në banesën ku shkoi për kontroll, përjashtohen edhe policët që u rrahën me njëri-tjetrin

Arrestohet efektivi 24-vjeçar që dyshohet se vodhi 30 mijë euro

G.N., 24-vjeçari me detyrë Trupë shërbimi në Komisariatin e Policisë Cërrik, është përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit.

Nela u arrestua pas një kallëzimi nga shtetasi S. K., me banim në Marinzë, Belsh, i cili pretendonte se gjatë një kontrolli të ushtruar pranë familjarëve të tij, më datë 20.12.2022, dyshohet se këtij shtetasi i ishte vjedhur një shumë prej 30 mijë euro në ambientet e jashtme të banesës, në pronësi të tij.

Po ashtu janë pezulluar nga detyra, të dy punonjësve të Policisë, shtetasve E. H. dhe R. M., punonjës policie të Patrullës së Përgjithshme, në Komisariatin e Elbasanit. Bëhet fjalë për E.H. dhe R.M. Të dy janë konfliktuar me njëri-tjetrin jashtë orarit të shërbimit. Gjatë konfliktit, shtetasi R. M., në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, ende të paidentifikuar, ka goditur me send të fortë, shtetasin E. H., i cili ka marrë mjekim në spitalin e Elbasanit dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi:

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka miratuar përjashtimin nga Policia e Shtetit, të punonjësit të Policisë, inspektor G. N., 24 vjeç, me detyrë Trupë shërbimi në Komisariatin e Policisë Cërrik. 24-vjeçari u arrestua një ditë më parë, për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”. Arrestimi i tij u bë nga AMP.

Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka miratuar menjëherë pezullimin nga detyra, të 2 punonjësve të Policisë, shtetasve E. H. dhe R. M., punonjës policie të Patrullës së Përgjithshme, në Komisariatin e Elbasanit dhe në zbatim të rregullores së Policisë së Shtetit, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, ka nisur hetimin disiplinor ndaj tyre, për shkelje të rëndë disiplinore. Procedimi disiplinor ka nisur krahas procedimit penal të nisur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi E. H. është konfliktuar për motive të dobëta, me shtetasin R. M., 23 vjeç (punonjës policie, në Komisariatin e Elbasanit), gjatë kohës që të dy kanë qenë jashtë orarit të shërbimit.

Gjatë konfliktit, shtetasi R. M., në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, ende të paidentifikuar, ka goditur me send të fortë, shtetasin E. H., i cili ka marrë mjekim në spitalin e Elbasanit dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po kryen hetimet e mëtejshme për këtë rast, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Policia e Shtetit është e vendosur për të mos toleruar asnjë punonjës policie që shpërdoron detyrën dhe besimin e qytetarëve, apo që bëhet vetë cënues i ligjit. Në këtë kuadër, Policia e Shtetit inkurajon qytetarët që të denoncojnë çdo rast të implikimit të punonjësve të Policisë, në paligjshmëri.