AKTUALITET, 22 Dhjetor 2022, 21:13

“Për 1 km rrugë vidhni 5 mln euro”- Berisha akuza qeverisë: Keni frikë! Po bllokoni propozimin tim për heqjen e parashkrimit për kryeministrat

“Për 1 km rrugë vidhni 5 mln euro”- Berisha akuza

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se maxhoranca po pengon sjelljen në parlament të propozimit të bërë prej tij për heqjen e parashkrimit të veprave penale për zyrtarët e lartë.

Në fjalën e tij Berisha theksoi se ky propozim po pengohet për shkak se ministrat dhe kryeministri kanë frikë nga ndjekja penale për vjedhjet galopante që kanë bërë me tenderët publikë.

Berisha: Prej disa javësh kam dorëzuar në parlament një ligj që u hiqet e drejta e parashkrimit për vepra penale, kryeministrave, ministrave dhe drejtuesve kryesorë që kanë të bëjnë me fondet dhe pasuritë publike. Ju në mënyrë antiligjore e bllokoni ligjin duke shkelur çdo rregull dhe nuk e sillni në parlament siç e ërkon rregullorja. Nuk e sillni se e dini se me atë ligj për të gjitha këto vjedhje nuk do të ketë më parashkrim. Nuk parashkruhet më vjedhja e 430 milionë eurove me firmën e Edi Ramës. Nuk parashkruhet më kurrë vjedhja me Portin e Durrësit apo ndërtimi i rrugëve me 6-fishin e vlerës së Bashkimit Evropian, vjedhja me rrugën Qukës-Qafë Plloç.

Nuk parashkruhen vjedhjet që bëhen për rrugët anësore Lekaj-Fier vidhni 5 milionë për kilometër. Nuk parashkruhen vjedhjet për zgjerimin e rrugës Elbasan Librazhd, ku për 1 km vidhni 5 mln euro. Nuk parashkruhen më vjedhjet me tenderët me 1 ofertues.

Sipas KLSH 65% e tenderëve i fiton oferta më e lartë, kjo do të thotë se ai që fiton ndan paratë me këto zonjat dhe zotërinjtë këtu. A mund të imagjinoj kush që 65% e tenderëve janë në këtë kondicion.