AKTUALITET, 25 Mars 2023, 11:06

“Mbi 250 prokurime sekrete që varen nga Rama”, Berisha: 9 muajt e parë të 2022 janë vjedhur e shpërdoruar nga qeveria dhe administrata 122 miliardë lekë

“Mbi 250 prokurime sekrete që varen nga Rama”, Berisha: 9 muajt

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se korrupsioni është një nga faktorët më shkatërrimtarë për demokracinë. Ai tha se sot ka mbi 250 prokurime sekrete që varen nga zyra e kryeministrit.

Berisha citoi raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, sipas të cilit në 9 muajt e parë të 2022 janë vjedhur dhe shpërdoruar nga qeveria dhe administrata 122 miliardë lekë. Sipas tij, prokuroria është kthyer në një sektor të PS-së.

“Shqipëria në vitin 2010 u bë vendi i parë në botë, që vendosi sistemin dixhital të plotë në prokurimet publike. OKB e certifikoi sistemin tonë dhe i dha Shqipërisë një çmim botëror për këtë hap të rëndësishëm për transparencën.

Pjesëmarrësit në garë nga 8400 që ishin në një vit, arritën në 56 mijë gjatë vitit të prokurimit, pra ishte e hapur. Fondi i përgjithshëm i shpenzuar ishte 25% më i ulët. Sot sistemi ekziston, por sot bëhen tenderë sekretë. Nëse çdo vend i kufizon në shkallën më maksimale tenderat sekretë, kjo i ka rritur me 25 herë dhe janë mbi 250 prokurime sekrete që varen direkt nga zyra e kryeministrit.

Duhet të ndalojmë çdo lloj prokurimi pa garë të hapur, kushti më themelor së pari. Së dyti, në vitin 2012 bëmë një betejë të madhe për të hequr imunitetin për korrupsionin. A pati efekt kjo? Mendova se bëmë një gjë shumë të madhe, u gabova sepse kjo maxhorancë e ka vendosur në një kontroll të plotë prokurorinë, e ka shndërruar në një sektor të PS-së.

Sipas KLSH, në 9 muajt e parë të vitit 2022 janë vjedhur dhe shpërdoruar nga qeveria dhe administrata 122 miliardë lekë, mbi 1.1 miliardë euro, 30 % më shumë se gjithë fondi i pagave në Shqipëri. Pothuajse askush nuk është dënuar për këto, sepse dënimet i kontrollon kryeministri”, tha Berisha.

Ai theksoi se tani nuk funksionon vetëm heqja e imunitetit. “Do bëjmë një gjë tjetër, do heqim parashkrimin për ministrat dhe kryeministrat. Se çfarë bëjnë këta, vjedhin, vjedhin, vjedhin dhe pastaj ia mbathin në Belize, në Karaibe, rrinë atje sa bëhet koha e parashkrimit dhe kthehen të pasuruar dhe më tepër.

Parashkrimi që është një standard në të gjitha kodet e botë, ai kthehet në një amnisti për qeveritarët që vjedhin. Është e domosdoshme që ai nen të hiqet nga Kodi Penal dhe unë do luftoj shumë gjer në heqjen e tij”, u shpreh Berisha.

Ai tha më tej se kryeministri firmosi për t’i dhënë një sipërmarrjeje 8% bonus para se të krijohej, pasi ishte sipërmarrja e tij. Berisha paralajmëroi krijimin një avokati publik për prokurimt, PPP-të dhe koncesionet.

“Ka një postulat, i cili thotë, po qe se kryeministri vjedh, vjedhja shndërrohet në sistem. Ky është rasti tipik i Shqipërisë. Kryeministri firmos për sipërmarrjet e tij. A mund të imagjinoni ju kryeministër që të firmosë më datën 6 dhjetor 2016 që t’i japë një sipërmarrjeje 8% bonus. Po në atë dosje në Km është shkresa e ministres e cila i thotë se nuk mund të bëhet kjo, sepse kjo sipërmarrje nuk ekziston gjëkundi në Shqipëri dhe në botë.

Është fake, nuk ekziston, i thotë ministrja e tij. Kurse ky firmosi. Në gusht 2017 krijohet sipërmarrja. Çfarë do të thotë se ishte sipërmarrje e kryeministrit se ndryshe nuk mund të ndodhte. Ndaj ne kemi kërkuar heqjen e parashkrimit. Me këtë të drejtë nuk duhet të abuzojnë ata që firmosin për fondet publike të qytetarëve. Do të mund të krijohet dhe po studioj dhe një avokat publik vetëm për prokurimet publike, për koncesionet dhe PPP-të”, tha Berisha.