AKTUALITET, 6 Korrik 2023, 13:28

Listimi i titullit të parë korporativ në Bursën Shqiptare të Titujve!

Listimi i titullit të parë korporativ në Bursën Shqiptare

Për herë të parë në historinë e tregut shqiptar të kapitaleve, një kompani private emëton obligacione nëpërmjet ofertës publike. Thënë ndryshe, i ofron publikut të gjerë nënshkrimin e titujve të saj të borxhit.

Ky zhvillim i rëndësishëm do të thotë se në bursën shqiptare ALSE nuk do të tregtohen më vetëm letrat me vlerë të qeverisë, por edhe instrumentet korporatë, si ai i emëtuar nga kompania e mikrofinancës NOA.

Listimi i titullit të parë korporativ në Bursën Shqiptare

Në ceremoninë e lancimit të këtij zhvillimi të rëndësishëm për tregun e kapitaleve, që i hap rrugën edhe listimit të kompanive të tjera në bursë, ishin të pranishëm Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj; Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko; Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete, anëtarë të komisionit parlamentar të ekonomisë; disa prej sipërmarrësve më të mëdhenj në vend etj.

Në fjalët përshëndetëse, ata vlerësuan rëndësinë që ka për sistemin financiar, biznesin dhe ekonominë në tërësi zhvillimi i tregut të kapitaleve.

Listimi i titullit të parë korporativ në Bursën Shqiptare

“Bursa Shqiptare e Titujve është themeluar në vitin 2017 nga 3 aksionarët e saj: Banka Credins, Banka Amerikane e Investimeve dhe AK-Invest. Aktiviteti i saj u lancua zyrtarisht në shkurt të vitit 2018.

Në Bursë kanë qenë të listuar vetëm titujt qeveritarë, deri me emëtimin e instrumentit të parë korporativ nga NOA,  një hap që pritet të hidhet edhe nga kompani të tjera”.- citoi znj. Nada Vokshi, Drejtore e Përgjithshme e ALSE.