AKTUALITET, 6 Korrik 2023, 11:08

Rama nis turin ballkanik me çarterin "Ismaili", ndalesa e parë, Shkupi (VIDEO)

Rama nis turin ballkanik me çarterin "Ismaili", ndalesa e
Rama në Shkup

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në aeroportin e Shkupit në Maqedoninë e Veriut ku është pritur në aeroport nga zëvendëskryministri Artan Grubi. Avioni i "Air Albania" që mban emrin "Ismaili" bëri ndalesën e parë në Maqedoninë e Veriut, ndërsa do të fluturojë pastaj për në Prishtinë, Sarajevë, Podgoricë, Beograd dhe kthimin në Tiranë. 

Rama pritet të ketë një takim me Dimitar Kovaçevskin dhe më pas takim mes delegacioneve të të dyja vendeve.

Pas takimit mes delegacioneve është parashikuar drekë e përbashkët, ndërsa më pas Rama do të udhëtojë drejt Kosovës.

Kreu i qeverisë ka publikuar agjendën dy-ditore nga turi në 5 kryeqytete të Ballkanit, ndërsa në pikëpyetje është takimi me homogun kosovar Albin Kurtin.

Nesër në mëngjes, Rama do të udhëtojë në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku do të takohet me kryetarin e Këshillit të Ministrave në 10:55 dhe në 11:40 do mbajnë konferencë të përbashkët.

Më pas do udhëtojë në Mal të Zi, ku në 13:45 do takohet me homologun Dritan Abazoviç dhe do mbajnë konferencën e përbashkët në 15:40. Në orën 16:00 do takohet me Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviç.

Ndërsa në 19:30 do takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç dhe 30 minuta më vonë do mbajnë konferencën e përbashkët.