AKTUALITET, 4 Dhjetor 2023, 15:58

“Braktisja” e euros, kreditë për banesa merren në lekë. Si ndryshuan shifrat për tetorin

“Braktisja” e euros, kreditë për banesa merren në

Kredia për blerje apartamentesh ka shënuar rritje në tetor, rritje që i detyrohet huave të reja në lekë, në një kohë që tkurrje të ndjeshme kanë shënuar kredia në euro. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kredia për blerje pasurish të paluajtshme në monedhën tonë kombëtare rezulton 106.8 miliardë lekë në fund të tetorit, nga 105 miliardë në shtator.

Rritja është 1.7%, ose thuajse 20 milionë euro më shumë krahasuar me shtatorin dhe vjen pas një ecurie të dobët të shënuar përgjatë gjithë vitit, veçanërisht gjatë muajve të verës, kur kreditimi i tregut të pasurive të paluajtshme dominohej nga huatë në euro. Ndërkaq, thuajse më të njëjtin ritëm është tkurrur kredia për apartamente në monedhën e përbashkët europiane. Ajo është tkurrur me 1.8% në muajin tetor krahasuar me shtatorin. Ekuivalenti i saj i shprehur në monedhën vendase ra nga 71.5 miliardë, në 70,2 miliardë.

Me këta numra, tetori thelloi më tej tendencën e zhvendosjes së kredisë nga euro, në lekë i vërejtur që prej vjeshtës së këtij viti. Fenomeni i dedikohet në masë të madhe rritjes rekord të normës bazë të interesit nga ana e Bankës Qendrore Europiane, por edhe zhvlerësimit të fortë të euros në raport me lekun, faktorë që kanë sjellë edhe mbylljen para kohe të një volumi të konsiderueshëm kredish në monedhën e përbashkët europiane, si nga bizneset, ashtu edhe nga individët.

Por, ndryshimi i trendeve nuk është kufizuar vetëm tek kredia e re. Një numër i konsiderueshëm biznesesh edhe individësh, veçanërisht gjatë tremujorit të tretë të vitit, kanë vendosur të mbyllin kreditë në monedhën e përbashkët europiane, duke i konvertuar ato në lekë.