AKTUALITET, 4 Dhjetor 2023, 13:12

Vrasja e biznesmenit Vajdin Lame/ SPAK kërkon pushimin e hetimeve për Lulzim Berishën dhe Plarent Dervishin

Vrasja e biznesmenit Vajdin Lame/ SPAK kërkon pushimin e hetimeve për

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar pushimin e hetimeve për Lulzim Berishën dhe Plarent Dervishin, të cilët tre vite më parë u akuzuan për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lame. SPAK ka kërkuar pushimin e çështjes dhe kërkesa do të shqyrtohet nga gjyqtarja e posaçme Flojera Davidhi, që ende nuk ka caktuar datën.

Në të njëjtën kohë, prokuroria ka kërkuar heqjen e masës së arrestit në burg të caktuar në mungesë për Berishën dhe Dervishin që vazhdojnë ende të jenë në kërkim si të përfshirë në vrasjen e Lames rreth 20 vite më parë.

SPAK ngriti akuzat pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë, Luftar Reçi, i cili tregoi se bombën që u vendos në ashensorin ku humbi jetën Lame dhe miku i tij, Artan Arsi e montoi me antenat e grupit që janë marrë në hetim.

Tashmë për vrasjen e Lames akuzohen vetëm Emiliano Shullazi dhe Viktor Ymeri. Nga ana tjetër, ndaj Lulzim Berishës dhe Plarent Dervishit vijon procesi gjyqësor për Klodian Saliut, ngjarje për të cilën janë marrë të pandehur edhe Indrit Taullai, Indrit Rusi.