AKTUALITET, 4 Dhjetor 2023, 13:18

Numri i mjekëve dhe infermierëve ra më 2022 nga emigracioni, por vizitat në qendrat shëndetësore u rritën

Numri i mjekëve dhe infermierëve ra më 2022 nga emigracioni, por

Në vitin 2022, numri i vizitave në shërbimin parësor, si pika e parë e kontaktit me shërbimin shëndetësor nga popullata, ka shënuar rritje me 1,0%, krahasuar me një vit më parë.

Por INSTAT raportoi se numri i infermierëve në këtë shërbim ka pësuar rënie me 0,7%, ndërkohë edhe numri i mjekëve ka pësuar tkurrje me 1,9% krahasuar me një vit më parë.

INSTAT raportoi se në shërbimin parësor, vitin e kaluar ishin vetëm 1777 mjekë, ose 35 më pak se më 2021, ndërsa numri i infermierëve ra në 6792 ose 50 më pak se viti 2021.

Forca e punës në mjekësi, sidomos me shërbimin parësor, po tkurret prej emigracionit drejt vendeve perëndimore, kryesisht Gjermanisë.

Një studim i thelluar i ekspertëve Ilir Gëdeshi (Qendra e Studimeve Ekonomike dhe Sociale), Russell King (Departamenti i Gjeografisë, Universiteti i Sussex) dhe Amarildo Çeka (Shkolla e Popullsisë dhe Shëndetit Publik, British Columbia) tregoi se në vitin 2020, brenda vendit numëroheshin gjithsej 4745 doktorë, ndërsa jashtë vendit ishin 1028 të tillë.

Siç shihet, mjekët që janë të punësuar jashtë vendit janë sa 22% e atyre brenda vendit. Dega e mjekësisë në vend është më e shtrenjta për nga kostot dhe koha që duhet për shkollim. Për formimin e një mjeku specialist duhen 6 vite studime të përgjithshme dhe specializimet që zgjasin deri në katër vite.

Anketat e viteve të fundit tregojnë një dëshirë të madhe për të emigruar te moshat e reja, por fenomeni është i lartë në fushat e shëndetit, me qëllim largimin.

Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se numri i studentëve në arsimin e lartë ka pësuar rënie me rreth 13% nga 2019 – 2023, por në degët ku mund të gjesh punë në emigracion ka rritje.

Këtë vit akademik, në fushat e studimit që lidhen me shëndetësinë janë 22,834 studentë, të cilët përbëjnë 18% të gjithë totalit të studentëve. Numri i studentëve me drejtim degët e shëndetit është më i lartë se nevojat e tregut të brendshëm, por ky trend lajmëron tendencat e emigracionit të profesionistëve në të ardhmen.

Burimet nga Fakulteti i infermierisë tregojnë se shumica e studentëve, që në vit të parë regjistrohen në mësimin e gjuhës gjermane, me qëllim që kur të kenë mbaruar studimet të kenë aftësitë gjuhësore për t’u punësuar në tregun gjerman.

Rritja e mprehtë e emigrimit të mjekëve ishte pas vitit 2016 dhe lidhet kryesisht me rritjen e papritur të fluksit të mjekëve drejt Gjermanisë.

Kjo rrjedhë u lehtësua nga “Rregullorja e Ballkanit Perëndimor”, e prezantuar nga qeveria gjermane në fund të vitit 2015, e krijuar për të tërhequr mjekë nga vendet e Ballkanit, njohja e diplomave të tyre dhe ofrimi i aksesit të lehtë në vendet e lira të punës dhe lejet e punës./Monitor

Numri i mjekëve dhe infermierëve ra më 2022 nga emigracioni, por