AKTUALITET, 13 August 2026, 21:52

Afati për ankimimin/ Shpallen listat e reja të pronarëve që kompensohen për 3 projekte në Fier, Elbasan dhe Tiranë

Agjencia Shtetërore për Shpronësimin ka publikuar në Fletoren Zyrtare kërkesat zyrtare për shpronësim për interes publik që prekin disa pasuri private. Projektet përfshijnë ndërhyrje rrugore me rëndësi vendore dhe kombëtare në qarqet e Fierit, Elbasanit dhe Tiranës.

Të gjithë personat fizikë ose juridikë që preken nga këto projekte – qoftë ata të pasqyruar në listat zyrtare apo subjekte të tjera që pretendojnë pronësinë – kanë një afat prej 15 ditësh nga data e publikimit për të paraqitur pretendimet e tyre të shoqëruara me dokumentacionin përkatës pranë bashkive përkatëse, Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) apo vetë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.

Rikonstruksioni i segmentit rrugor “Shën Gjergji” – “Naun Kaçaku” (Fier)
Në kuadër të projektit për rikonstruksionin e segmentit rrugor nga ish-ura me shkallë deri te stacioni i Patosit në Fier, Bashkia Fier ka kërkuar amendimin e vendimit ekzistues të Këshillit të Ministrave (VKM nr. 94, datë 12.2.2025).

Subjekti kërkues: Bashkia Fier

Lloji i pasurisë: Truall (Zona kadastrale 8531, pasuria nr. 114/2)

Vlera totale paraprake e shpronësimit: 295,255 lekë

Bashkëpronarët e prekur: Eugjen Dëma, Suzana Rezhda, Pranvera Beka, Ylli Dëma dhe Mimoza Veli.

Korridori VIII: Aksi rrugor Elbasan – Lekaj (Loti I: Elbasan – Papër)
Projekti për studim-projektimin e aksit rrugor Elbasan–Lekaj, pjesë e Korridorit VIII, përfshin shtesa në VKM-në nr. 221 (datë 1.4.2026). Shpronësimet prekin kryesisht toka të llojit “arë” dhe “truall” në zonat kadastrale përreth Elbasanit dhe Papërit.

Subjekti kërkues: Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH)

Vlera totale paraprake e shpronësimit: 4,339,554.6 lekë

Llojet e pasurive: Tokë “arë” dhe “truall” (në zonat kadastrale 3965, 3702, 3764, etj.)

Pronarët e prekur: Përfshijnë disa familje dhe bashkëpronarë, mes të cilëve familjet Lena, Subashi, Bullari, Gjata, Çela, Çepa, Kurti, Ballhysa, si dhe sipërfaqe të caktuara shtetërore.

Ndërtimi i rrugës Kashar – Nyja Vaqarr (Fazat I dhe II)
Projekti infrastrukturor në periferi të kryeqytetit lidhet me ndryshimet në VKM-në nr. 317 (datë 6.5.2026) për segmentin Kashar–Vaqarr.

Subjekti kërkues: Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH)

Vlera totale paraprake e shpronësimit: 3,545,205 lekë

Pasuria e prekur: Zona kadastrale 1017, pasuria nr. 36/1 (154.5 m² truall dhe godinë banimi 1-katëshe me sipërfaqe 51.5 m²)

Pronari i prekur: Dervish Hysen Gjoka

Udhëzim për qytetarët

Agjencia Shtetërore për Shpronësimin rikujton se vlerësimi financiar është llogaritur mbi bazën e kartës së vlerës së tokës (VKM nr. 89, datë 3.2.2016) dhe kritereve teknike për objektet e banimit (VKM nr. 138, datë 23.3.2000). Çdo ankesë ose dakordësi duhet të depozitohet zyrtarisht brenda afatit 15-ditor pranë zyrave përgjegjëse.