AKTUALITET, 13 August 2026, 19:29

Ksamil/ “Jet Ski” futet në zonën e pushuesve, Policia bllokon mjetin dhe gjobit pronarin me 500 mijë lekë

Një mjet lundrues “Jet Ski” është bllokuar nga Policia Kufitare në Ksamil, pasi hyri në perimetrin e sigurisë ku po laheshin pushuesit, duke rrezikuar jetën e tyre.

Ngjarja u konstatua gjatë patrullimeve të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare në sektorin detar të Ksamilit, në zonën e njohur si “Tre Ishujt”.

Sipas policisë, mjeti lundrues kishte shkelur hapësirën e përcaktuar për sigurinë e pushuesve. Në përfundim të veprimeve, “Jet Ski” u bllokua, ndërsa pronari i tij, shtetasi me inicialet A. P., u ndëshkua me 500 mijë lekë të rinj gjobë.

Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare vijojnë kontrollet dhe patrullimet përgjatë vijës bregdetare, veçanërisht në zonat e frekuentuara nga pushuesit.

Autoritetet u bëjnë apel përdoruesve të mjeteve lundruese që të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke shmangur hyrjen në zonat e dedikuara për plazhistët.