AKTUALITET, 13 August 2026, 19:45

Luftë me flakët për disa orë, vihet nën kontroll zjarri në Lugaxhi të Labinot Malit në Elbasan

Zjarri që përfshiu një sipërfaqe të madhe të masivit pyjor dhe që rrezikoi djegien e disa banesave  në fshatin Lugaxhi të Labinot Malit në Elbasan  është vënë nën kontroll pas disa orësh përballje intensive me flakët. Ndërhyrja e forcave zjarrfikëse dhe e punonjësve të strukturave të tjera të angazhuara në terren bëri të mundur izolimin e vatrës dhe neutralizimin e rrezikut për përhapje të mëtejshme.

Operacioni është zhvilluar në kushte të vështira, për shkak të terrenit të thyer, i cili ka pamundësuar afrimin e mjeteve të rënda pranë zonës së përfshirë nga zjarri. Për këtë arsye, pjesa më e madhe e operacionit është realizuar në këmbë, duke kërkuar angazhim të vazhdueshëm të efektivëve.

Për përballimin e situatës u angazhuan 2 mjete zjarrfikëse, me kapacitet prej 3 tonësh secili, si dhe 18 forca zjarrfikëse, të cilat ndërhynë në terren duke përdorur edhe pompa shpine për të arritur në zonat ku mjetet nuk mund të depërtonin. Në operacion morën pjesë gjithashtu 25 punonjës të ASHP, të cilët kontribuuan në punën për izolimin e vatrave dhe frenimin e përhapjes së flakëve.

Pavarësisht vështirësive të terrenit dhe kushteve të krijuara nga zjarri, ekipet operacionale vijuan punën pa ndërprerje deri në vendosjen e situatës nën kontroll. Ndërhyrja e shpejtë ishte e rëndësishme për të shmangur përhapjen e flakëve në sipërfaqe të tjera me bimësi. Pas neutralizimit të rrezikut kryesor, strukturat në terren kanë vijuar kontrollet për të evidentuar dhe eliminuar çdo vatër të mbetur, duke synuar parandalimin e riaktivizimit të zjarrit.