TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Temperaturat e larta dhe era janë bërë faktorët kyç në intensifikimi e zjarreve dhe rindezjen e vatrave që më parë janë vënë në kontroll në vendin tonë.
38 vatra zjarri janë raportuar gjatë ditës së sotme në të gjithë vendin, ndërsa deri në orën 20:00, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vijojnë të jenë në ndjekje 18 vatra, prej të cilave 14 aktive, 2 në monitorim dhe 2 nën kontroll.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se operacionet po zhvillohen në mënyrë të koordinuar nga strukturat e Mbrojtjes Civile, ndërsa në aksionin për shuarjen e flakëve janë angazhuar 309 efektivë nga Forcat e Armatosura, 22 mjete, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Në Gurë-Lurë të Dibrës vijon angazhimi më i madh, pasi zjarri është ende aktiv në dy drejtime. Në terren ndodhen 120 forca bashkiake, 57 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 punonjës policie, 15 vullnetarë dhe 9 punonjës të ADZM-së, të mbështetur nga dy avionë Air Tractor.
Autoritetet bëjnë me dije se perimetri pranë banesave është vendosur nën kontroll dhe është shmangur rreziku për përhapjen e flakëve drejt tyre. Ndërkohë, operacionet vijojnë edhe në Qafën e Helmes.
Në Tiranë, puna vijon në Dajt dhe në aksin Priskë e Madhe–Gurrë–Farkë–Lundër, ku ekipet në terren mbështeten edhe nga helikopterët e Forcave të Armatosura. Pavarësisht terrenit të vështirë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Krujë, ndërhyrja e forcave operacionale dhe mbështetja nga një helikopter i FA-së kanë bërë të mundur vendosjen nën kontroll të zjarrit në Abaze. Ndërkohë, në Bojë, Krastë dhe Halil nuk raportohen më vatra aktive.
Në Përmet, vijon puna për shuarjen e vatrave në Nëmerçkë dhe Dhëmbel, në një terren të vështirë, por pa rrezik për zonat e banuara. Në Moravë të Devollit, zjarri është vendosur nën kontroll.
Në Trojë të Mirditës vijon operacioni me pjesëmarrjen e forcave zjarrfikëse, bashkisë, policisë, vullnetarëve dhe 30 efektivëve të Forcave të Armatosura.
Në Shkodër, puna vazhdon në Rrencë dhe Goraj-Budishtë, ndërsa kjo e fundit po shkon drejt izolimit dhe nuk paraqet rrezik për banesat. Vatra në Kryezi është nën kontroll.
Në Elbasan, operacionet vijojnë në Dardhë, Lugaxhi dhe Shalës. Në Lugaxhi janë angazhuar forca zjarrfikëse, punonjës të pyjores, ASHP, forca bashkiake dhe 30 vullnetarë, ndërsa edhe këtu nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, në Finiq, vatrat në Dhivër dhe Rumanxë janë shuar plotësisht, ndërsa zjarri në Dhrovjan është nën kontroll.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.