BOTA, 16 August 2026, 20:54

Zjarr në Malpensa, merr flakë karroca me bagazhe pranë avionit

Alarm në aeroportin e Malpensës në Milano, ku një karrocë që transportonte bagazhe ka marrë flakë në platformën e Terminalit 1.

Ngjarja ndodhi rreth orës 13:00, teksa karroca e kompanisë së shërbimeve tokësore Aviapartner po përdorej për të ngarkuar bagazhet në një avion të British Airways me destinacion Londrën.

Sipas dyshimeve të para, zjarri mund të jetë shkaktuar nga mbinxehja e një baterie litiumi që ndodhej në njërën prej valixheve. Nga karroca u përhap një sasi e madhe tymi, duke alarmuar menjëherë stafin e aeroportit.

Zjarrfikësit ndërhynë brenda pak minutash dhe arritën të vënë flakët nën kontroll. Zjarri mbeti i kufizuar te karroca dhe bagazhet, pa prekur avionin apo strukturat përreth.

Pavarësisht incidentit, operimi i aeroportit vijoi normalisht. Fluturimi drejt Londrës, i planifikuar fillimisht përpara orës 14:00, u nis rreth dy orë me vonesë për shkak të kontrolleve të sigurisë. 

Shkaku i zjarrit mbetet ende nën hetim, ndërsa temperaturat e larta të ditëve të fundit janë një tjetër element që po merret në konsideratë për mbinxehjen e mundshme të baterisë.