BOTA, 15 August 2026, 21:13

U shpëtua pas 37 orësh nën rrënoja, por nuk mundi t’i mbijetojë plagëve, vdes 32-vjeçarja në Kolumbi (Video)

Gruaja që kaloi gati 37 orë e bllokuar nën rrënojat e një ndërtese të shembur nga tërmeti në Pereira të Kolumbisë, përpara se të nxirrej e gjallë të martën, ka ndërruar jetë sot në spital, bëri të ditur familja e saj për AFP.

Shpëtimi i 32-vjeçares Daniela Largo ishte kthyer në një simbol shprese për kolumbianët.

Ajo u nxor nga rrënojat me barelë, mes brohoritjeve dhe duartrokitjeve të njerëzve të pranishëm. Pamjet prekën një vend të shkatërruar nga tërmeti, ku ekipet e shpëtimit ende po kërkojnë të paktën 400 persona të zhdukur, sipas agjencisë së menaxhimit të fatkeqësive.

Daniela Largo la pas një djalë 12-vjeçar.

Tërmeti me magnitudë 7.4, më i forti që ka goditur Kolumbinë këtë shekull, ka shkaktuar të paktën 294 viktima dhe ka lënë gati 4 mijë persona të plagosur, sipas të dhënave të fundit të përditësuara nga autoritetet.

Pereira, së bashku me Calin, është një nga qytetet më të goditura nga tërmeti.

Në zonat më të prekura, ekipet e shpëtimit po përdorin makineri të rënda për të larguar pjesë të çative dhe mureve, gjashtë ditë pas tërmetit.

Ndërsa disa njerëz përqafojnë njëri-tjetrin për të lehtësuar dhimbjen e shkaktuar nga tragjedia, të tjerë po organizojnë mbledhje fondesh për viktimat, të cilat janë strehuar në qendra të posaçme.

“Do të doja që e gjithë kjo të mbaronte shpejt”, tha Sandra Milena Perez, nëna e Daniela Largos, gjatë një bisede telefonike me Agence France-Presse.