TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Turistët që vizitojnë Romën po gjejnë një mënyrë më të freskët dhe më të veçantë për të eksploruar një prej monumenteve më të famshme në botë, Koloseumin gjatë natës.
Për shkak të temperaturave të larta dhe valëve të të nxehtit që kanë përfshirë kryeqytetin italian, Koloseumi ka zgjatur këtë verë oraret e vizitave deri në orën 23:00.
Biletat për vizitat e natës janë shitur të gjitha, ndërsa turistët që morën pjesë gjatë kësaj jave e përshkruan përvojën si “magjike” dhe “romantike”.
“Pas perëndimit të diellit është shumë më komode”, tha Victor Li, teksa vizitonte arenën dhe kalimet nëntokësore ku dikur mbaheshin kafshët dhe gladiatorët. “Temperaturat më të ulëta pas mbrëmjes po i bëjnë këto vizita veçanërisht tërheqëse për turistët”, shtoi ai.
Një tjetër vizitore, Svetlana Spielberg, nga Shtetet e Bashkuara, e cilësoi iniciativën si një ide shumë të mirë.
Ajo tha se gjatë ditës temperaturat janë shumë të larta, ndërsa Koloseumi i ndriçuar gjatë natës është “shumë i bukur” dhe krijon një atmosferë më romantike.
Deri më tani, vizitat e natës zhvilloheshin dy herë në javë, por këtë verë numri është dyfishuar në katër net në javë, duke përfshirë edhe të premten dhe të shtunën.
Drejtori i kompleksit të Koloseumit, Simone Quilici, tha se zgjerimi i orareve synon t’u japë mundësi vizitorëve që preferojnë orët më të freskëta.
Iniciativa është bërë e mundur falë një fondi të Ministrisë italiane të Kulturës dhe mund të zgjatet edhe gjatë muajit shtator.
Autoritetet po marrin parasysh temperaturat e larta dhe kërkesën e madhe të turistëve për të vizituar monumentin në orët e mbrëmjes.
I ndërtuar në shekullin e parë, Koloseumi është amfiteatri më i madh në botë dhe dikur priste rreth 50 mijë spektatorë për shfaqje publike, luftime gladiatorësh dhe gjueti kafshësh.
Për Marco Pravinin, i cili e kishte vizituar monumentin edhe gjatë ditës, përvoja e natës është krejt ndryshe. Ndriçimi, qetësia dhe atmosfera e bëjnë Koloseumin “shumë më magjik”.