BOTA, 16 August 2026, 09:22

Pas tërmetit shkatërrues, presidenti kolumbian i kërkon Trump pezullimin e tarifave doganore për eksportet

Presidenti i ri i së ashtuquajturës e djathta e fortë në Kolumbi, Abelardo de la Espriella, i kërkoi të shtunën aleatit të tij, homologut amerikan Donald Trump, të marrë në konsideratë pezullimin e tarifave doganore për produktet e eksportuara të vendit të tij, pas tërmetit shkatërrues që goditi Kolumbinë këtë javë. “I kërkova të shqyrtojë pezullimin e përkohshëm të tarifave të larta doganore që rëndojnë mbi produktet kolumbiane, në mënyrë që të lehtësohen bizneset tona, të cilat po kalojnë një periudhë shumë të vështirë për shkak të pasojave të tërmetit”, deklaroi kreu i ri i shtetit përmes një postimi në platformën X.

Tarifat doganore të vendosura nga qeveria amerikane për produktet e importuara nga Kolumbia u rritën nga 10% në 12.5% në fund të muajit korrik, me përjashtim të disa produkteve, si kafeja dhe nafta. Rritja e tarifave doganore hyri në fuqi më 24 korrik. Ato zëvendësuan tarifën e përgjithshme të vendosur nga administrata Trump më herët gjatë këtij viti. Presidenti de la Espriella tha se kishte zhvilluar një bisedë rreth 10-minutëshe me homologun e tij amerikan, Donald Trump, i cili i shprehu ngushëllimet për viktimat e tërmetit me magnitudë 7.4, që goditi vendin të hënën.

“Biseda ishte shumë miqësore dhe e ngrohtë”, deklaroi presidenti i Kolumbisë. “I thashë se kemi një sfidë të jashtëzakonshme përpara, të rindërtojmë Kolumbinë, në një situatë jashtëzakonisht të vështirë dhe zbuluese sa i përket gjendjes ekonomike që trashëgova”, shtoi ai.

Tërmeti i së hënës shkaktoi dëme të mëdha në qytetet e Kolumbisë perëndimore, veçanërisht në Kali dhe Pereira, duke lënë pas vetes rreth 300 viktima, të paktën 320 persona të zhdukur dhe afro 4 mijë të plagosur. Rreth 13 mijë ndërtesa u dëmtuan pjesërisht ose u shkatërruan plotësisht. Donald Trump e kishte mbështetur publikisht gjatë fushatës kandidatin e krahut të djathtë, de la Espriellën, një avokat dhe biznesmen milioner.

Pas marrjes së detyrës, presidenti i ri, i cili pasoi socialdemokratin Gustavo Petro, e përfshiu Kolumbinë në të ashtuquajturën “Mburoja e Amerikës”, një aleancë e themeluar nga Donald Trump me objektiv të deklaruar luftën kundër trafikut të drogës. Në këtë aleancë janë përfshirë edhe vende të tjera të Amerikës Latine ku qeveris e djathta, si Argjentina, Ekuadori dhe Salvadori, ndër të tjera.

Shtetet anëtare parashikohet të forcojnë shkëmbimin e informacionit, si dhe bashkëpunimin mes sistemeve të tyre gjyqësore dhe forcave të sigurisë, me qëllim luftën kundër kriminalitetit ndërkufitar. Ndërkohë, Abelardo de la Espriella planifikon një aleancë ushtarake me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, me synim forcimin e luftës kundër lëvizjeve kryengritëse që veprojnë në Kolumbi.