AKTUALITET, 25 July 2026, 18:40

Zërvenci 90 ditë në filtër, zbardhet dokumenti strategjik i qeverisë, ‘BESA’: Do vendosim bashkë për të ardhmen e projektit

Zërvenci 90 ditë në filtër, zbardhet dokumenti strategjik i

Një ditë pasi kryeministri Edi Rama publikoi reflektimet e tij mbi protestat në Tiranë, ku pas 55 ditësh tubim bëri një kthesë politike dhe njoftoi se qeveria ka gati besëlidhjen e re për shqiptarët, Tch zbardh dokumentin strategjik.

Projekti i Zvërnecit, që ishte dhe zanafilla e protestave, do të jetë testi i parë i “BESËS”, dokumentit strategjik të qeverisjes së Ramës, në mandatin e tij të katërt, një udhërrëfyes, që synon të matë çdo politikë, çdo reformë dhe vendim të qeverisë.

Sipas këtij plani të ri të qeverisë, parashikohet që brenda një periudhe 90-ditore të zhvillohen dëgjesa në terren me banorë, studiues, shkencëtarë, por edhe grupet që protestuan, për të marrë më pas një vendim për të ardhmen e projektit.

“Brenda këtij afati përfundojnë dëgjesa, hapja e dokumentacionit të publikueshëm, vlerësimi paraprak dhe vendimi i arsyetuar për hapat pasues. Detyrimet që kërkojnë më shumë kohë regjistrohen me afate publike, institucione përgjegjëse dhe raportim të vazhdueshëm në Flamingo Mirror”.

Sipas dokumentit, testi nuk nis me asnjë paragjykim, as nëse projekti duhet të vazhdojë dhe as nëse duhet ndalur. Çdo mundësi duket se lihet e hapur.

“Alternativat janë vazhdimi me garanci, korrigjimi, kushtëzimi, rikonceptimi ose ndalimi, sipas asaj që lejojnë ligji, kontratat dhe provat. Asnjë hap i Metodës BESA nuk pezullon kompetencat ligjore, procedurat administrative, detyrimet kontraktore ose kontrollin gjyqësor”.

Plani “BESA” i qeverisë synon gjithashtu një transformim të ri, që do të përcaktojë dekadën e ardhshme të zhvillimit shqiptar, me në fokus qytetarin.

“Kthesa e mandatit të katërt është edhe kalimi nga logjika e ndërtimit, te kultura e kujdesit. Nga investimi si ngjarje, te përkujdesja si standard. Nga miratimi i një ligji, te përvoja e përditshme e qytetarit lidhur me ligjshmërinë. Ky është transformimi që do të përcaktojë dekadën e ardhshme të zhvillimit shqiptar. Një shtet i drejtë me njerëzit. Një administratë që respekton afatet. Një shërbim publik që sillet me dinjitet. Një institucion që pranon gabimin dhe garanton reagimin. Një qeveri që e ndan vendimmarrjen me publikun”.

Në përfundim të këtij procesi, do të ketë një analizë të qasjes së para qershorit, kur nisën protestat, për të nxjerrë mësime, gjë e cila sipas dokumentit “nuk pengon përgjegjësinë administrative, kontraktore ose ligjore aty ku ajo provohet”. Çdo element i këtij procesi do të jetë i publikuar në ndërfaqen që do të quhet “Flamingo Mirror” (pasqyra e Flamingove), e cila në të ardhmen do të përdoret për të gjitha dosjet me interes të lartë publik.